Më 2 shkurt pritet vendimi i Apelit ndaj Gucatit e Haradinajt

Paneli i Gjykatës së Apelit në Hagë e ka caktuar shpalljen e aktgjykimit në çështjen Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Sipas njoftimit, më 2 shkurt 2023, pas vendimit të instancës së parë, shkalla e dytë do pritet të japë epilogun për këtë rast.

Aktgjykimi do të merret nga gjykatësit Michele Pikar – kryesuese, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen – si anëtarë.

Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se seanca do të fillojë në ora 14:00.

Gjykimi do të jetë publik dhe mund të përcillet në gjuhën shqipe, gjuhën serbe dhe anglisht përmes faqes së internetit.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 në Prishtinë.

Krerët e OVL-UÇK-së Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj më 18 maj 2022, u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burgim dhe 100 euro gjobë.

Ata u gjetën fajtor se sepse mes datave 7 dhe 25 shtator 2020, shpërndanë pa autorizim informacione konfidenciale dhe jopublike lidhur me hetimet e Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së.

Sjellja e disa dokumenteve të Gjykatës Speciale në zyret e OVL-UÇK-së nga një person ende i panjohur e më pas bërja publike e tyre në konferenca mediatike, është arsyeja e gjykimit ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Haradinaj dhe Gucati akuzohen se gjatë shtatorit të vitit 2020 bën deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me ZPS-në dhe për persona të tjerë duke i quajtur ata ndër të tjera gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

Ata po ashtu akuzohen se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet konfidenciale të Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së duke inkurajuar të tjerë të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik.

Madje në aktakuzë thuhet se të dy në cilësinë e kryetarit dhe nënkryetarit OVL-UÇK-së, mbajtën konferencë për shtyp në të cilën i ekspozuan dokumentet e DSP-së mbi një tavolinë.

Sipas akuzës Gucati e Haradinaj mbajnë përgjegjësi për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.