Mbrojtja e të akuzuarve nga Specialja, rreth 7 milionë euro u paguan nga buxheti i shtetit deri më tani

Kosova përpos problemeve të shumta politiko-ekonomike, një pjesë të buxhetit të saj të vogël është dashur ta ndajë edhe për shpenzimet që po ndodhin para Gjykatës Speciale në Hagë.

6 milionë e  879 mijë e 512 euro e 1 cent, ka paguar Kosova deri më tani për mbrojtjen e 8 të akuzuarëve shqiptarë në Gjykatën e Hagës.

Gjatë këtij viti në Hagë kanë filluar procese gjyqësore ndaj ish krerëve politikë në Kosovë që gjatë kohës së luftës kishin pozita udhëheqëse në luftën për çlirimin e vendit.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi e Salih Mustafa, Pjetër Shala, po përballen në Hagë me akuza për krime lufte, vrasje, privim të kundërligjshëm lire, torturë e trajtim çnjerëzor të personave të cilët dyshohen se kanë bashkëpunuar me okupatorin serb gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Ndërsa Hysni Gucati e Nasim Haradinaj po akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për pengim të procedurës penale para Gjykatës së Hagës.

Gjykata e Hagës është institucion i Kosovës i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për gjykimin e krimeve të cilat pretendohet se kanë ndodhur gjatë vitit 1998 -1999 në Kosovë.

Kjo gjykatë përbëhet nga gjykatës ndërkombëtarë të specializuar për gjykimet lidhur me krimet e luftës.

Po ashtu edhe të akuzuarit në këtë gjykatë mbrohen nga avokatë të specializuar, shpenzimet e të cilëve i mbulon Republika e Kosovës, saktësisht Ministria e Drejtësisë.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë Kosovës, mbrojtja e të pandehurve para Gjykatës së Hagës i ka kushtuar buxhetit të Republikës së Kosovës 6 milionë e 879 mijë e 512 euro e 1 cent për vitin 2021.

Burimi i të dhënave për shpenzimet: Ministria e Drejtësisë

Mbrojtësi i Hashim Thaçit, avokati Pierre R. Prosper, nga muaji dhjetor 2021, deri në muajin nëntor 2021 është paguar 1 milion e 24 mijë e 301 euro.

Mbrojtësi i Jakup Krasniqit, avokati V. Rohini Alagendra nga muaji nëntor 2020, deri në muajin nëntor 2021 është paguar 1 milion e 156  mijë e 250 euro.

Mbrojtësi i Rexhep Selimit, avokati David Young nga nëntori 2020 deri në nëntor 2021 është paguar 1 milion e 88 mijë e 700 euro.

Ndërsa mbrojtësi i Kadri Veselit, Benn Emmerson nga muaji shkurt deri në nëntor 2021 është paguar 759 mijë e 724 euro e 91 centë.

Burimi i të dhënave për shpenzimet: Ministria e Drejtësisë

Mbrojtja e Nasim Haradinajt për avokatin Bat Martens për dy muajt, tetor e nëntor të vitit 2020 i ka kushtuar Kosovës 33 mijë e 648 euro e 13 centë, ndërsa për avokatin Toby Cadman prej dhjetorit 2020 e deri në nëntor 2021 ka kushtuar 872 mijë e 315 euro e 83 centë.

Mbrojtësi i Hysni Gucatit, Jonathan Rees, nga muaji tetor  2020 deri në nëntor 2021 është paguar 1 milion e 53 mijë e 750 euro.

Burimi i të dhënave për shpenzimet: Ministria e Drejtësisë

Mbrojtësi i Salih Mustafës, avokati Von Bone nga muaji tetor 2020, deri në muajin nëntor 2021 është paguar 825 mijë e 822 euro e 14 centë për pjesëmarrjen në 25 seanca gjyqësore dhe parashtrimin e shkresave  ligjore.

Ndërsa mbrojtësi i Pjetër Shalës, avokati Jean L. C Gilissen për muajin nëntor 2021 është paguar 65 mijë euro.

Mbulimi i këtyre shpenzimeve bëhet në bazë të Ligjit për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë dhomave të specializuara.

Ky ligj është miratuar në vitin 2015 me qëllim të  që të mbrohet dhe zbardhet e vërteta për proceset e mundshme gjyqësore që do të zhvillohen pranë Dhomave të Specializuara, pa ndonjë ndërhyrje dhe veprim të mundshëm i cili do të mundësonte ndërprerjen e këtij procesi dhe i cili do të mund të linte njollë të pazgjidhur në historinë e re të Republikës së Kosovës thuhet në hyrje të këtij ligji.

Në nenin 3 të këtij ligji thuhet se:

Të gjithë personat e akuzuar kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësit të pavarur, me përvojë dhe kompetencë, që paguhen nga Buxheti i Kosovës, i alokuara për qëllimet e këtij Ligji”.