Mbrojtja e Salih Mustafës thotë se do të paraqesin një alibi për të

Avokati i ish-komandantit të UÇK-së,  Salih Mustafës, Julius von Boné, tha se do të ketë një alibi të paraqitur nga mbrojtja lidhur me hetimet ndaj tij për krime lufte si dhe do ftohen dëshmitarë sa i përket alibisë.

Ai tha se vetëm për intervistimin e dëshmitarëve lidhur me alibinë nevojiten 2 muaj ndërsa tha se gjykimi duhet të fillojë në korrik.

“Pasi mbrojtjes i nevojitet kohë për hetimet, gjykimi duhet të fillojë në muajin korrik të këtij viti, pasi mbrojtja të ketë përfunduar dosjet e veta”, shtoi avokati von Boné.

Salih Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga Policia e EULEX-it dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet në paraburgim.

Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ish-komandant “Cali” akuzohet për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Sipas aktakuzës në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me roje, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve

Aktakuza e Prokurorisë së Specializuar ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar gjatë luftës.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij Salih Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.