Nasim Haradinaj - 18.12.2020

Mbrojtja e Nasim Haradinajt u përgjigjet 'argumenteve' të Prokurorit të Specializuar për paraburgimin

 

Mbrojtja e Nasim Haradinajt në përgjigjen e saj, ka kërkuar që Gjykata e Apelit të hudhë poshtë argumentet e paraqitura nga ZPS. Në përgjigjen e tyre të datës 15 janar 2021, e cila përgjigje ka të bëjë me apelimin e vendimit nga mbrojtja, për rishikimin e paraburgimit për Nasim Haradinajn.

Poashtu në përgjigjen e mbrojtjes theksohet se kjo përgjigje nuk ka për qëllim të rishikojë argumentet e bëra tashmë në Apel, pasi ZPS nuk ka arritur të përfshihet në argumentin thelbësor për asnjë shtrirje të arsyeshme.

Tutje thuhet se mbrojtja me këtë përgjigje, do të përqendrohet në hudhjen poshtë të ‘deklaratave të gabuara dhe argumenteve mashtruese të paraqitura nga ZPS’.

Në veçanti ankuesi do kërkonte të argumentohej se tërësia e parashtrimeve nga ZPS mbështetet në një narrativ thelbësisht të keqinterpretuar. Duke qenë se arsyet e ankuesit për ankesë qojnë në një “mospajtim”, në vend se të identifikohet “gabimi” në vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake të datës 24 dhjetor 2020.

Në përgjigje poashtu thuhet se, në parashtresën e bërë nga mbrojtja Apeli kishte cekur se kishte disa gabime.

“Në parashtresën tonë, Apeli përcakton se kishte disa gabime lidhur me vendimin për paraburgim me procedurat që kërkohen sipas kornizës ligjore dhe rregullative të zbatueshme kombëtare dhe ndërkombëtare”, thotë mbrojtja e Haradinajt.

“Përkundër asaj që argumenton SPO, ankesa u paraqit në kohë dhe përpara panelit të duhur”, thuhet në përgjigje.

Tutje thuhet se ZPS ka pohuar se ndalimi fillestar i ankuesit, respektivisht të akuzuarit ishte në përputhje me ligjin.

“ZPS pohon se ndalimi fillestar i ankuesit, respektivisht të akuzuarit ishte në përputhje me ligjin dhe ai nuk është arrestuar në përputhje me rregullën 52 (2) dhe nuk është argument i saktë se ndalimi ishte arbitrar në bazë të nenit 5 (3) të Konventës. Kjo në bazë të asaj se gjyqtari paraprak ka lëshuar një vendim-arrest dhe urdhërarrest ditën para arrestimit”, thuhet në përgjigje.

Tutje në përgjigjet e mbrojtjes theksohet se lëshimi i urdhërarrestit, i ka sjellë Gjykatës satisfaksion.

“Efekti i kësaj është që paraqitja e parë, sipas logjikës së ZPS-së, me lëshimin e një Urdhër Arresti i ka sjellë Gjykatës satisfaksion. Një pozicion i tillë është jo logjik dhe paraqet në mënyrë të gabuar kërkesat procedurale sipas nenit 5 (3) të Konventës”, ceket në përgjigje.

Sipas mbrojtjes, vendimi i Gjykatës është shumë larg nga ajo që kërkohet sipas nenit 5 të Konventës dhe ka gabime të qarta dhe të dukshme ligjore dhe faktike.

Mbrojtja i bën thirrje Gjykatës që të lejojë ankesën dhe ta kthejë çështjen te gjyqtari paraprak, për të rivendosur gojarisht për paraburgimin e Haradinajt.

Haradinaj po akuzohet bashkë me kryetarin e OVL- UÇK-së, Hysni Gucatin për vepra penale të pengimit të administrimit të drejtësisë.

Haradinaj dhe Gucati kishin dalë para dhomave të Specializuara në kohën kur ishin arrestuar dhe dërguar në Hagë.

Ata po qëndrojnë në masën e paraburgimit që nga koha kur ishin arrestuar në Kosovë.

Gucati dhe Haradinaj akuzohen se në prill dhe shtator 2020, bën deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me ZPS-në dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata, ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

Ata akuzohen edhe se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet konfidenciale të Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së, inkurajuan të tjerë të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik.

Sipas dhomave të Specializuara të dy organizuan dhe bashkërenduan së bashku me disa të tjerë shpërndarjen e paautorizuar të informacionit konfidencial dhe jopublik dhe veprime të tjera në lidhje me të.

Madje në aktakuzë thuhet se të dy në cilësinë e kryetarit dhe nënkryetarit OVL-UÇK-së, mbajtën një konferencë për shtyp në të cilën i ekspozuan dokumentet e DSP-së mbi një tavolinë.

Sipas DSP ata mbajnë përgjegjësi për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Aktakuza kundër tyre ishte bërë publike me 14 dhjetor të këtij viti.

Gucati dhe Haradinaj ishin arrestuar gjatë muajit shtator në zyrat e OVL-UÇK-së dhe ishin transferuar në Hagë.