Annie Puess

Mbrojtësja e viktimave në Gjykatën Speciale në rastin e Salih Mustafës kërkon që të vizitojë Kosovën

Në seancën ndaj Salih Mustafës, i njohur si komandant “Cali”, mbrojtja e viktimave Annie Puess kërkoi që të vizitojë vendngjarjen e cekur në aktakuzë, ku pretendohet se ka ndodhur ngjarja.

Ndërsa mbrojtësi i Salih Mustafës, Julius Von Bonné tha se nuk ka nevojë të vizitohet vendndodhja e cekur në aktakuzë.

“Ne nuk mendojmë se ka ndonjë gjë për të parë në atë vendndodhje, Prokuroria ka dhënë mjaft materiale sa përket aktakuzës, atje s`ka gjë për të parë është një ndërtesë e vogël”, tha avokati Von Bonné.

“Atë vendodhje mund ta shohim edhe me video 3D, mendoj se jemi më se të përgatitur për ta filluar gjykimin pa vizituar atë vend. Nëse mbrotësja e viktimave do mund ta vizitojë”, shtoi ai.

Tutje avokati ceku se besojnë se deri në javën e parë të gushtit, do t’i përfundojnë hetimet.

“Deri në javën e parë të gushtit besojmë që t`i përfundojmë hetimet. Si datë kemi caktuar 15 gushtin, por besoj se do jemi gati dhe më herët”, tha avokati Von Bonné

Salih Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet në paraburgim në Hagë.

Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ish-komandant “Cali” akuzohet për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Sipas aktakuzës, në prill të vitit 1999, Mustafa së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me roje, ndër të tjera në një stallë të kyçur.

Aktakuza e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar gjatë luftës.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij, Salih Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.

 

 

Rasti Salih Mustafa, sot konferenca përgatitore për gjykim