Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi: Kam pasë fatin që disa Komandantë të Brigadave t’i njohë edhe më herët

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”, në Dhomat e Specializuara, gjatë ditës së sotme, më 13.02.2025, ka vazhduar dëshminë ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi.

Gjatë dhënies së dëshmisë në seancën e sotme, më 13.02.2025, dëshmitari Sylejmani tha se ka pasur fatin që disa prej Komandatëve të Brigadave t’i njihte më herët.

“ …Unë po flas për Zonën Operative të Drenicës. Unë kam pasë fatin që shumë prej Komandantëve të Brigadave t’i njohë edhe më herët dhe t’i kem shokë dhe në këtë aspekt unë kam pasë edhe fatin që të udhëheq në Zonën Operative të Drenicës. Dhe, me shumë bashkëluftëtarë të Ademit dhe shumë pjesëtarë të themelimit, ose prej themelimit të UÇK-së, i kam pasë krah veti dhe në Drenicë. Edhe pse kam pasë humbje të mëdha, kam pasë shumë, edhe jam krenar që kam mundur të udhëheq Zonën Operative të Drenicës, me aq sa kam pasë mundësi.” – tha dëshmitari Selimi.

“A pajtoheni me mua që Shtabi i Përgjithshëm vetëm emrin e ka pasë Shtabi i Përgjithshëm?” – ishte pyetja e avokatit Rodney Dixon, i cili mbron të akuzuarin Kadri Veseli.

“Shtabi i Përgjithshëm e ka pasë emrin dhe në dukje është kur e përmend si Shtab i Përgjithshëm është diçka e madhe dhe do të kisha pasë dëshirë që ta kem gjatë periudhës së luftës një Shtab të tillë, po fatkeqësisht mundësitë dhe nuk e kemi pasë një Shtab të tillë, të cilin ka mujt të mbështetë Zonat Operative. Ka qenë një Shtab, disa anëtarë që është përbërë prej disa anëtarëve që ma shumë s’i ke taku se që i ke taku. Ka qenë një Shtab jo funksional.” – u përgjigj dëshmitari Sylejmani në pyetjen e avokatit Dixon.

Dëshmitari Sylejman Selimi tha se edhe gjatë kohës kur ka qenë Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ka marrë pjesë në luftime.

“Unë kam pasë mundësi dhe sa herë ka pasë luftime, edhe unë kam marrë pjesë në luftime.” – tha dëshmitari Sylejman Selimi.

Dëshmitari Selimi tha se Shtabi i Përgjithshëm gjatë kohës së luftës ka qenë inekzistent.

“Termi si Shtab i Përgjishëm është shumë term i madh dhe si term në shikim të parë mendohet që është një Shtab ku shumë njerëz punojnë në atë Shtab dhe në një objekt që është me plot Salla operative. Në një kohë lufte, ose në këtë periudhë, unë u mundova t’ia sqarojë edhe gjyqtarit, që ne po flasim për një Shtab thuaja gati inekzistent, një Shtab më shumë politik, ose një pjesë logjistike, sesa një Shtab operacional me anëtarë të cilët janë të përhershëm, ose me anëtarë që e kanë një adresë, ose me një Shtab që e ka një strukturë, një Sallë operative dhe disa oficerë që e menaxhojnë situatën në luftë.” – tha dëshmitari Selimi.

Tutje, Selimi tha se Shtabi i Përgjithshëm asnjëherë nuk ka qenë i organizuar në nivel të tillë.

“Ne, fatkqësisht, këtë nuk e kemi pasë dhe s’e kam pa asnjëherë të organizuar në një nivel të tillë. Dhe, kjo ka bërë që shumë Komadantë të zonave në terren t’i marrin vendimet vetë”.

Dëshmitari Sylejman Selimi tha se asnjëherë anëtarët e Shtabit nuk i kanë parë.

“Asnjëherë s’e ke ditë ku janë anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, për arsye të ndryshme, ose i ke pasë jashtë shtetit, edhe atëherë kur jam mundu m’i taku, shumë zor ka qenë t’i takosh.” – tha dëshmitari Selimi

Tutje, Selimi gjatë dëshmisë së tij tha se lidhshmëria e Shtabit të Përgjithshëm gjatë luftës dhe zonave ka qenë pengesë.

“Dhe, lidhshmëria e Shtabit të Përgjithshëm gjatë luftës dhe zonave, kjo gjithmonë ka qenë pengesë dhe është dashtë që një Komandant zone t’i marrë veprimet vetë dhe t’i organizojë dhe të udhëzojë ose edhe të marrë pjesë vetë direkt në luftime. Dhe, të interosohet edhe për ushtarët edhe për pjesën civile, e cila ka qenë në atë kohë në periudhën e luftës.” – tha dëshmitari Selimi gjatë dëshmisë së tij.

Në këtë rast, çështja po drejtohet nga gjyqtarët: Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénaël Mettraux dhe Fergal Gaynor.

Aktakuza fillestare kundër katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023 .

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza, për “krime kundër njerëzimit”: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Sipas Aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999, në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe në Cahan të Shqipërisë.

Gjykimi filloi më 03.04.2023, me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave – ndjekur nga ekipet e mbrojtjes, më 4 e 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar në këtë rast mbi 300 dëshmitarë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com, lidhur me këtë rast, mund t’i lexoni në këtë: LINK.