Hysni Gucati me probleme shëndetësore, nuk merr pjesë në seancë

Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati për shkak të gjendjes shëndetësore nuk po merr pjesë në seancë.

Këtë e ka bërë të ditur avokati i tij, Jonathan Rees.

Sipas Rees, për shkak të gjendjes jo të mirë Gucati është me ilaçe.

“Ka marrë ilaçe kundër dhimbjeve mbrëmë. Ka një takim me mjekun në orën 18:00 sot. U përpoq që të qëndronte në sallë gjatë vazhdimit të procedurës, por dhimbjet vazhdojnë. Nuk ka një diagnozë mjekësore por besoj që do të kemi sonte dhe do t’i jap udhëzime se si do të vazhdojmë”, tha avokati.

Ndërkaq gjykimi është duke vazhduar me Nasim Haradinajn, ku për të tretën ditë rresht po jep dëshminë e tij në Gjykatën Speciale.

Haradinaj është duke dhënë mbrojtjen e tij para Gjykatës Speciale.

Haradinaj dhe Gucati akuzohen se në prill dhe shtator 2020, bën deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me ZPS-në dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata, ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

Ata akuzohen edhe se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet konfidenciale të Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së, inkurajuan të tjerë të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik.

Sipas Dhomave të Specializuara të dy organizuan dhe bashkërenduan së bashku me disa të tjerë shpërndarjen e paautorizuar të informacionit konfidencial dhe jopublik dhe veprime të tjera në lidhje me të.

Madje në aktakuzë thuhet se të dy në cilësinë e kryetarit dhe nënkryetarit OVL-UÇK-së, mbajtën një konferencë për shtyp në të cilën i ekspozuan dokumentet e DSP-së mbi një tavolinë.

Sipas DSP ata mbajnë përgjegjësi për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.