Hashim Thaçi gjatë një paraqitjeje para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Hashim Thaçi mund të përfaqësohet në Hagë edhe nga avokati Misetiq

Sipas njoftimit të Gjykatës Speciale, ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mund të përfaqësohet edhe nga një avokat.

Kjo është bërë me kërkesën e avokatit të sapo caktuar të Thaçit, Gregory Kehoe, i cili është ish-avokat i Ante Gotovinës ish-gjeneralit kroat.

Kehoe thuhet se ka kërkuar që të asistohet edhe nga avokati kroat Luka Misetiq.

Kompania e Misetiq ‘Patton Boggs’ ka pasur kontratë me Qeverinë e Kosovës, në kohën kur Thaçi ishte kryeministër dhe kjo kontratë kishte vazhduar dhe në kohën e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Kujtojmë se KALLXO.com pati raportuar lidhur me autorizimin që Qeveria e Kosovës, e pati bërë ndaj ‘Patton Boggs’, për ta përfaqësuar Kosovën në Tribunalin Ndërkombëtar të Arbitrazhit kundër kompanisë ‘AXOS’.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po akuzohen se si drejtues të UÇK-së kishin kryer krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë.

Për këto akuza ata po mbahen në paraburgim prej momentit kur ishin arrestuar në Kosovë.

Ata po akuzohen se ndërmjet marsit 1998 dhe shtatorit 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, duke arrestuar dhe ndaluar persona civilë në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.

Për të gjitha këto krime të pretenduara, prokurori Jack Smith i ngarkon Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin se ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre, mirëpo kishin nxitur kryerjen e tyre.

Në këtë aktakuzë thuhet se Thaçi dhe të tjerët nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxitën vrasjen e tyre.

Sipas Prokurorisë, krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike dhe veprimeve në terren, frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës.

Pjesë e aktakuzës 68-faqëshe të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme. Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë.

Sipas Prokurorisë ato janë kryer në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.

Në aktakuzë thuhet se një person gjatë vitit 1998 ishte mbajtur në kazermat e UÇK-së në Jabllanicë dhe ishte rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK-së.

Aktakuza pretendon se fatin e njëjtë e kishin pasur edhe dy viktima të tjera të cilat ishin dërguar në kazermën e UÇK-së në Jabllanicë.

Përpos vrasjeve në Jabllanicë në aktakuzë pretendohet se në fshatin Llapushnik ishte arrestuar një person nga pjesëtarët e UÇK-së ishte rrahur dhe ishte marrë në pyetje dhjetë netë rresht ndërsa në fund ishte vrarë.

Aktakuza tutje pretendon se pas një ofensive serbe, forcat e UÇK-së në Llapushnik kishin arrestuar afërsisht 30 persona, ku disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë ndërsa të tjerët ishin qëlluar dhe vrarë.Aty përshkruhet edhe për gjashtë vrasje të kryera në Drenoc.

Sipas Prokurorisë gjashtë burra ishin arrestuar, rrahur dhe vrarë dhe eshtrat e tyre nuk ishin parë më kurrë.

Pjesë e aktakuzës janë edhe akuzat për vrasjen e 11 civilëve serbë në Malishevë. Sipas aktakuzës në korrik të vitit 1998 një grup prej 11 të arrestuarish serbë u transferuan në një dhomë në bodrumin e një ndërtese në Malishevë.

Aty përshkruhet se këta civilë ishin rrahur dhe shqelmuar nga anëtarët e UÇK-së, e më pas ishin qëlluar dhe vrarë. Prokuroria e Specializuar në këtë aktakuzë ka përfshirë edhe qendrën e paraburgimit në Kleçkë.

Në këtë lokacion sipas prokurorit të specializuar, gjashtë persona ishin dërguar dhe ishin rrahur për vdekje nga anëtarët e UÇK-së.

Një tjetër person sipas prokurorit të specializuar kishte vdekur si rezultat i keqtrajtimit në Kukës.

Në këtë keqtrajtim thuhet se kishte marrë pjesë edhe Sabit Geci.Tre persona të tjerë ishin arrestuar në Rahovec, ata sipas aktakuzës ishin rrëmbyer nga ushtarët e UÇK-së në shtëpitë e tyre ndërsa nuk ishin parë më kurrë.

Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e sipërpërmendura sipas prokurorit të specializuar është përgjegjësia komanduese.

 

Hashim Thaçi kërkon të përfaqësohet nga ish mbrojtja e Ante Gotovinës