Haradinaj Speciales: Ndërrojeni përkthyesin ose mos e luani rolin e budallës kishe s’po kuptoni çka po them

Nasim Haradinaj është duke  u përball me pyetjet e prokurorit të Dhomave të Specializuara në Hagë rreth publikimit të emrave të dëshmitarëve  në dosjeve që nga një person i panjohur u lanë në zyrën e OVL-së së UÇK-së e më pas u publikuan në disa media.

Për këtë çështje, Haradinaj tha se ai asnjëherë si kishte shpërndarë dokumentet ku shihen emrat e dëshmitarëve dhe se nuk kishte nevojë të redaktoheshin ato emra ngase kanë qenë të publikuara qysh para 5 viteve.

“Unë s’kam qit asnjë dokument ku shihen emra të dëshmitarëve, unë s’di me redaktu, ti po më ngarkon me diçka që se kam detyrë unë, ti e ke pas detyrë m`i ruajt dokumentet. Unë s’kam pas çka me redaktu se s’kam qit kurrgjë me pa dhe s’kam dashur ta bëjë një gjë të tillë. Këta emra Infokusi, pronari i këtij është i njëjti person që më ka dal në protestën e 81, ku dhe jam dënuar. Është interesante pas katërdhjetë viteve u përsërit rasti”, tha ai.

Haradinaj gjatë marrjes në pyetje nga prokurori special u zemërua shumë kur u pyet për të disatën herë se përse emrat e dëshmitarëve nuk i kishte redaktuar dhe nëse me fjalën “nuk kam dashur të redaktojë asgjë” dëshiron të thotë se nuk ka dashur të redaktojë emra.

Haradinaj i nervozuar iu përgjigj prokurorit duke i  thënë “Z. prokuror më vjen keq që duhet t’ju drejtohem me këto fjalë, mos e luaj rolin e budallës kishe nuk po e di se çfarë thashë, ose edhe një herë po them kërkoj të ndërrohen përkthyesit, sepse nuk je ka e kupton se çfarë jam duke thënë”.

Haradinaj përgjegjës u ndje vetëm për faktin se dokumentet e pranuara i ka lënë mbi tavolinë dhe i ka ftuar mediat, asgjë më shumë.

“Përgjegjësia jeme është një dokument që ka ardhë në zyre unë i kam thirr mediat dhe i kam lënë aty, kjo është përgjegjësia ime”.

Haradinaj është duke dhënë mbrojtjen e tij para Gjykatës Speciale.

Haradinaj dhe Gucati akuzohen se në prill dhe shtator 2020, bën deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me ZPS-në dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata, ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

Ata akuzohen edhe se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet konfidenciale të Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së, inkurajuan të tjerë të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik.

Sipas Dhomave të Specializuara të dy organizuan dhe bashkërenduan së bashku me disa të tjerë shpërndarjen e paautorizuar të informacionit konfidencial dhe jopublik dhe veprime të tjera në lidhje me të.

Madje në aktakuzë thuhet se të dy në cilësinë e kryetarit dhe nënkryetarit OVL-UÇK-së, mbajtën një konferencë për shtyp në të cilën i ekspozuan dokumentet e DSP-së mbi një tavolinë.

Sipas DSP ata mbajnë përgjegjësi për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.