Haradinaj: Nëse dokumentet e Speciales ishin sekrete, pse erdhën në zyrën time?

 

Ish kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka vazhduar edhe sot seancën gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Nga prokurori i çështjes, Haradinajt iu lëshuan disa video të konferencave rreth publikimit të dosjeve të cilat sipas ZPS-së ishin konfidenciale.

“ZPS-ja nuk ka dashur që ju t’i shpërndani këto informacione, ju kanë thënë se janë të ndjeshme, pse i bëtë publike ato?”, pyeti prokurori.

Lidhur me këtë, Haradinaj deklaroi se bërja publike e dokumente ishte në interes të qytetarëve dhe të publikut.

“Unë për hir të qytetarëve dhe për hir të transparencës kam pas detyrë m`i informu qytetarët, kjo është përgjegjësia ime këtë e kom bo. Marrja e dokumenteve, qitja në tavolinë dhe transparenca kaq. Për këtë marrë përgjegjësi”, tha Haradinaj.

Haradinajt, përsëri nga prokurori iu bë e ditur se dokumentet e shpërndara për media kanë pas shenjën se janë jo publike dhe janë të ndjeshme.

“Derisa materialet kanë ardhë në zyre s’janë sekrete, ju po thoni herë jonë tonat, herë s’janë tonat këto dokumente. Atëherë, derisa ju po thoni se janë sekret si kanë ardhë këto në zyrën time. Kjo është marre!”, tha ai.

Lidhur me publikim e këtyre dokumenteve një pjesë të përgjegjësisë Haradinaj ia hodhi vetë Gjykatës Speciale dhe gazetarëve.

“E këqyra listën e njerëzve, Zekirija Shabani është këtu. Më vjen keq kur pash Halil Berishën, pasi ky është dashur të vijë këtu. Ky i ka bërë këto. Tash po bindna se ky e ka shti me marr komplet dosjen. Vetëm gazetari i tij e ka bërë këtë, nuk ka ndodhur në tri konferencat që me marr dikush komplet dosjen. Neve s’na ka ndodhë me marr krejt dosjen asnjë gazetar. Ma hetues ka qenë ky atë natë se krejt hetuesit e juaj”, shtoi Haradinaj.

Tutje ish kreu OVL-UÇK-së theksoi se nuk e ndien vetëm fajtor pse kanë ardhë dokumente në zyret e tij ngase ai këto vetëm i kishte lënë mbi tavolinë dhe nuk i kishte shpërndarë. Por, sipas tij ata që i kanë publikuar dokumentet duhet të marrin përgjegjësi.

“Gazetari i Zeqës i ka kërkuar dokumentet komplet. Të tjerët kanë marrë ndonjë fletë apo vetëm i kanë shfletuar. Ky e ka kryer porosinë e juaj. E keni porositur me ardhë me i marrë dhe ju ka lajmëruar pas 20 minutave. Tash pe shoh se ka ardhë me qëllim e ka marr krejt komplet dosjen. E keni porosit me marr dosjen, e ka marr. Le të përgjigjen ata, ata e kanë shpërnda le ta mbajnë përgjegjësinë. Ky po mundohet me më bo fajtor, unë se kom shti m`i shpërnda e kush e ka mësu se di, ama ky e ka kry detyrën e juaj”, sqaroi Haradinaj.

Ai ka mohuar faktin se dokumentet i ka shpërndarë vetë edhe pse ato që ka parë në materiale i ka ditur shumë kohë më parë dhe nuk ishte diçka e re për të.

Haradinaj është duke dhënë mbrojtjen e tij para Gjykatës Speciale.

Haradinaj dhe Gucati akuzohen se në prill dhe shtator 2020, bën deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me ZPS-në dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata, ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

Ata akuzohen edhe se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet konfidenciale të Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së, inkurajuan të tjerë të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik.

Sipas Dhomave të Specializuara të dy organizuan dhe bashkërenduan së bashku me disa të tjerë shpërndarjen e paautorizuar të informacionit konfidencial dhe jopublik dhe veprime të tjera në lidhje me të.

Madje në aktakuzë thuhet se të dy në cilësinë e kryetarit dhe nënkryetarit OVL-UÇK-së, mbajtën një konferencë për shtyp në të cilën i ekspozuan dokumentet e DSP-së mbi një tavolinë.

Sipas DSP ata mbajnë përgjegjësi për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.