Hagë, Prokuroria llogarit në mbi 15 dëshmitarë dhe në një libër për gjykimin e Salih Mustafës

Salih Mustafa, ish-komandant “Cali”, sot doli përsëri në sallën e Gjykatës së Specializuar për t’u informuar nga prokurori special Jack Smith për dëshmitarët dhe provat materiale që e mbështesin aktakuzën.

Në seancën e sotme porkurori i specializuar deklaroi se Zyra e tij do të ftojë 16 dëshmitarë ose më shumë për fazën tjetër të këtij gjykimi.

Lidhur me këta dëshmitarë, për tetë prej tyre prokurori i specializuar do të kërkojë nga Gjykata masa mbrojtëse për mosidentifikimin e tyre.

Tutje prokurori Jack Smith deklaroi se deri më 1 dhjetor 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar do të dorëzojë mbi 50 prova materiale, si deklarata, video, fotografi, materiale të tjera.

Në mesin e këtyre provave do të jenë edhe deklaratat e 11 dëshmitarëve si prova shtesë, tha prokurori Jack Smith.

Avokati i specializuar Von Bone, mbrojtës i të akuzuarit Salih Mustafa, deklaroi se  i mungon materiali me numër 2, i cili nga ndërhyrja e prokurorit Jack Smith u kuptua se materiali numër 2 ka të bëjë me 5 dëshmitarë të cilët janë nën masa mbrojtëse.

Prokurori Smith deklaroi se materiali mbështetës  që lidhet me këta dëshmitarë duhet të redaktohet në drejtim të informacionit që mund të çojë në identifikimin e dëshmitarëve.

Këto redaktime janë në përfundim e sipër, deklaroi Smith.

Avokati Von Bone u ndal edhe te çështja e një libri që do të trajtohet si provë materiale në këtë proces gjyqësor.

Bone i kërkoi Zyrës së Prokrurorit të Specializuar që kapitujt e këtij libri, më saktësisht citimet  e marra nga ky libër, të përkthehen dhe t’i jepen pasi  ai nuk e ka këtë libër.

Po ashtu, avokati deklaroi se autori i këtij libri duhet të vijë të dëshmojë lidhur me autenticitetin e këtyre citimeve dhe mënyrën e ndarjes së organeve të UÇK-së.

Prokurori Smith, lidhur me kërkesën e avokatit Bone deklaroi se ky libër do të bëjë pjesë në provat që do të shqyrtohen në gjykim andaj i njëjti porsa të përkthehet do t’u dorëzohet.

Sipas aktakuzës, Mustafa do të përballet me akuzat për vrasje të paligjshme, torturë, trajtim mizor dhe ndalim arbitrar të civilëve gjatë kohës së luftës në Kosovës.

Aktakuza thotë se Salih Mustafa, ish-komandant “Cali”, ishte epror i njësitit BIA, që kishte 500-600 anëtarë, të cilët vepronin kryesisht në zona të mëdha urbane si Prishtina dhe Obiliqi dhe përreth këtyre zonave, si dhe në rajonin e Gollakut në të cilin ndodhet fshati Zllash.

Sipas aktakuzës, njësiti BIA vepronte në një kompleks në Zllash që përfshinte një numër ndërtesash e përdorej si vendstrehim i sigurt dhe si qendër ndalimi dhe marrjeje në pyetje.

Aktakuza e ngarkon Mustafën se mes 1 dhe 19 prillit 1999 së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi VELA’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Sipas aktakuzës personat e ndaluar u mbajtën të ruajtur me roje, në një stallë të kyçur dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Aktakuza thotë se i akuzuari Salih Mustafa së bashku me pjesëtarët e tjerë të UÇK-së, kishin kryer trajtim mizor sepse 6 të ndaluarve nuk u kishin dhënë mjaftueshëm ushqim, ujë dhe nuk u kishin siguruar kushte higjienike dhe sanitare, fjetje, strehim dhe të kujdesit shëndetësor.

Pika e akuzës që  ngarkon Mustafën me torturë thotë se i akuzuari Mustafa së bashku me pjesëtarët e tjerë të UÇK-së u shkaktuan viktimave të ndaluara vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim marrjen e informatave ose deklaratave pranuese, duke i ndëshkuar, frikësuar ose shtrënguar viktimat ose duke i diskriminuar viktimat, ndër të tjera për arsye politike.

Aktakzua ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur dhe shënjestruar më shumë se perosnat e tjerë.

Sipas aktakuzës, gjatë kohës së ndalimit të personit të vrarë, familjarët e tij vazhdimisht kishin kërkuar informata rreth tij, por nuk u ishin dhënë informata të plota, ose u idhin dhënë informata të rreme.