Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, vazhdon dëshminë dëshmitari i mbrojtur

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar për “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, më 15.01.2025 ka vazhduar dëshminë dëshmitari i koduar me shifrën W04500.

Pyetje për dëshmitarin e mbrojtur është duke parashtruar mbrojtësja e të akuzuarit Kadri Veseli, avokatja Kerrie An Rowan,  e cila gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit kërkoi që seanca të kalojë në sesionin privat për çështje sigurie.

Kjo kërkesë e avokates Rowan u aprovua nga Trupi Gjykues dhe seanca aktualisht është duke vazhduar në sesionin privat.

Gjyqtari Charls Smith III njoftoi se të akuzuarit: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë duke e ndjekur gjykimin përmes videolidhjes.

Në këtë rast, çështja po drejtohet nga gjyqtarët Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénawl Mettraux dhe Fergal Gaynor.

Aktakuza fillestare kundër katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023 .

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për “krime kundër njerëzimit”: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Sipas Aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999, në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe në Cahan të Shqipërisë.

Gjykimi filloi më 03.04.2023, me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave – ndjekur nga ekipet e mbrojtjes, më 4 e 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.

Raportimet e tjera të KALLXO.com, lidhur me këtë rast, mund t’i lexoni në këtë LINK.