Nuredin Ibishi duke dëshmuar në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafë në Gjykatën Speciale në Hagë - 12.04.2022

Gjykimi ndaj Salih Mustafës, ‘Komandant Leka’ rrëfen për formimin e brigadave në Zonën Operative të Llapit

 

Nuredin Ibishi, i njohur si “Komandant Leka” ish-luftëtar i UÇK-së po dëshmon në gjykimin ndaj Salih Mustafës që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Hagës.

Mustafa nga Prokuroria Speciale po akuzohet për krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Dëshmitari i nëntë i mbrojtjes, Nuredin Ibishi ka rrëfyer se më 28 qershor 1998 ishte kyçur në UÇK ku kishte shërbyer si edukator-trajner për vullnetarët e rinj të ushtrisë.

“Në fund të qershorit 1998 pra 28 qershor 1998, jam kyçur në UÇK në fillim të Zonës Operative të Llapit. Kjo zonë ishte në fazën fillestare të ardhjes së vullnetarëve të rinj. Ende nuk kishte strukturë, pra ishte një qendër ku mblidheshin dhe aty fillova aktivitetin e parë të rekrutimit, trajnimit. Por, ende nuk ka pas aktivitete ushtarake”, deklaroi Ibishi.

Ai më tej tregoi edhe për formimin e tri brigadave: “Brigada 151”, “Brigada 152” dhe “Brigada 153” në Zonën Operative të Llapit.

Ibishi ka sqaruar se derisa “Brigada 152” ka arritur një nivel të funksionalitetit dhe pozicionimit në teren, “Brigada 151” ishte në fazën e ngritjes së kapaciteteve dhe se për këtë i referohej periudhës kohore të gushtit 1998. Kurse “Brigada 153” ishte formuar në shkurt të vitit 1999.

Këto tre brigada, sipas Ibisht kanë vepruar në pjesën rurale dhe doktrina e veprimit të UÇK -së sipas tij nuk ka qenë të veproj në luftë urbane, por në pjesë rurale.

Salih Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga Policia e EULEX-it dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet nën masën e paraburgimit.

Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga Zyra e prokurorit të specializuar.

Ish komandant “Cali” akuzohet për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Sipas aktakuzës në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Sipas prokurorisë ai bashkë me pjesëtaret e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe  dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij Sali Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.

Të gjitha raportimet e Kallxo.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK