Dëshmitari i njëmbëdhjetë Musli Halimi duke dëshmuar në gjykimin ndaj Salih Mustafës që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Hagës - 20.04.2022

Gjykimi ndaj Salih Mustafës, dëshmitari Halimi rrëfen për qendrën stërvitore të UÇK-së në Zllash

Dëshmitari i njëmbëdhjetë Musli Halimi po dëshmon në gjykimin ndaj Salih Mustafës që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Hagës.

Salih Mustafa i njohur me nofkën ‘Komandant Cali’ nga Prokuroria Speciale po akuzohet për krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Dëshmitari Halimi ka rrëfyer se në vitin 1998 nga Gjermania kishte ardhur në Shqipëri ku më pas nga Shqipëria në këmbë kishte shkuar në Zllash.

Ai ka thënë se gjatë bombardimeve të NATO në mars të ’99-së ka qenë në Zllash në qendrën stërvitore që sipas tij ishte e vendosur në një objekt shkolle.

“Aty është paraparë të hapet një qendër stërvitore dhe unë jam njohur me ish-komandantin e brigadës Adem Shehun në Tiranë dhe ai ka qenë qëllimi që unë të shkoj në Zllash. Qendra stërvitore ka qenë në fshatin Zllash. Aty ka qenë një shkollë fillore nga klasa e parë deri në klasën e katërt. Ajo është shfrytëzuar për qendër stërvitore”, ka thënë ai.

Dëshmitari më tej ka sqaruar se objekti-shkolla në fjalë ka pasur katër klasë ku sipas tij, një dhomë ka shërbyer si zyrë në të cilën ka qëndruar ai, ndërsa ka pasur edhe një objekt për përgatitjen e ushqimit për ushtarët dhe se qendra stërvitore ka qenë vartëse e “Brigadës 153”.

“Komandant kam qenë në qendrën stërvitore. Kjo qendër stërvitore ka qenë vartëse e “Brigadës 153” ku unë kam qenë bartës i kësaj brigade. Si epror ka qenë Fatmir Sopi dhe disa eprorë të tjerë Rrahman Dini, Sejdi Veseli, etj.”,tha dëshmitari.

Ai më tej sqaroi se të gjithë rekrutët në qendrën stërvitore kanë qenë të trevës së Gollakut dhe nga përgjegjësit janë mbledhur njerëzit e përzgjedhur ku lista i është dërguar “Brigadës 153” për vlerësim.

“Në qendrën stërvitore-godinë e shkollës kur vinte një gjeneratë e re, fillimisht ka qenë e obliguar të rreshtohet para objektit – para shkollës. Ne i kemi ftuar me listë emër e mbiemër. Ia kemi treguar disa rregulla dhe nëse dikush nuk pajtohet, apo ka probleme shëndetësore del një hap përpara. Por, nuk ka pas të tillë. Prandaj, ne kemi vazhduar me aktivitete sipas planit”, deklaroi dëshmitari.

Derisa i është përgjigjur pyetjeve të avokatit Julius von Bone, Halimi theksoi se formimi i këtyre gjeneratave të reja përbënte një numër prej 100-150 rekrutësh, ndërkaq, gjenerata e parë kishte pasur vetëm 50 rekrutë.

Dëshmitari deklaroi se çdo mëngjes obligative ishte ngritja e flamurit kombëtar dhe në mbrëmje të zbritej. Ndërkaq, shtoi se në këtë rast është dashur të jenë të pranishëm të gjithë ushtarët.

“Në mëngjes është dashtë të bëhet zgjimi, ka qenë higjiena personale 10 minuta, është dashtë të bëhet fiskultura e mëngjesit, të kthehen në shkollë, të rregullojnë krevetat, higjienën personale, të përgatiten në rresht për ngritjen e flamurit. Para se të ngritet flamuri është bërë inspektim a është i qethur, e tjerë, nëse jo ka marrë dënim. Nëse po, është ngrit flamuri, jemi marrë me aktivitete ditore, në mbrëmje zbritja e flamurit, pushim e këto”, tha ai.

Dëshmitari në vijim të gjykimit ka treguar se rekrutët i trajnonte në aspektin fizik si dhe me trajnime taktiko-ushtarake, ndërkaq kolegët e tij Triumfi dhe “mësuesi” janë marrë me mësimin e armatimit.

Ai mohoi se ka pasur ndonjë vajzë mes rekrutëve duke shtuar se nuk ekzistonte mundësia që të futet ndonjë rekrut jashtë liste.

Musli Halimi po vazhdon të përgjigjet në pyetjet e avokatit mbrojtës të Salih Mustafës.

Salih Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga Policia e EULEX-it dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet nën masën e paraburgimit.

Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga Zyra e prokurorit të specializuar.

Ish komandant “Cali” akuzohet për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Sipas aktakuzës në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Sipas prokurorisë ai bashkë me pjesëtaret e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij Sali Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.

Të gjitha raportimet e Kallxo.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK