Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, fillon dëshminë Sokol Dobruna, ish-Kryetar i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar për “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, më 14.01.2025, ka filluar dëshminë Sokol Dobruna, ish-Kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së.

Kryetari i Trupit Gjykues, Charles Smith III tha se dëshmia e dëshmitarit Dobruna pritet që të zgjasë dy ditë.

Sipas tij, Prokurori ka parashtruar se i duhet rreth një orë për pyetje, ndërsa ekipet e mbrojtjes kanë parashtruar se i duhen gjashtë orë për pyetje për dëshmitarin Dobruna.

Në Dhomat e Specializuara të Hagës Dobruna po përfaqësohet nga avokati Arianit Koci.

Në këtë rast, çështja po drejtohet nga gjyqtarët Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénawl Mettraux dhe Fergal Gaynor.

Aktakuza fillestare kundër katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023 .

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për “krime kundër njerëzimit”: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Sipas Aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999, në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe në Cahan të Shqipërisë.

Gjykimi filloi më 03.04.2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave – ndjekur nga ekipet e mbrojtjes, më 4 e 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar në këtë rast mbi 300 dëshmitarë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com, lidhur me këtë rast, mund t’i lexoni në këtë LINK.