Gjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt - 28.01.2022

Gjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt, eksperti: Prokuroria është dashur të ndjekë një procedurë të veçantë në sekuestrimin e materialeve

Në gjykimin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj edhe sot ka vazhduar dhënien e deklaratës eksperti Robert Rid.

Rid për 25 vite ka qenë hetues në Tribunalin e Hagës dhe në këtë proces gjyqësor është ftuar të japë raport mbi standardet e ndjekura nga ZPS-ja  gjatë  kontrollimit dhe sekuestrimit të materialeve në zyret e OVL-UÇK-së në Prishtinë.

Ai sot u pyet nga prokurorja Valeria Boliqi, për standardet që kishte ndjekur ai gjatë kontrollimit dhe sekuestrimit të materiale në vitin 1997 në Bosnje Hercegovinë.

Ai lidhur me këtë operacion tha se kishte udhëhequr procesin e kontrollimit dhe sekuestrimit të materialeve në 4 objekte, Stacionin Policor, ndërtesën e Bashkisë, Selinë e SDS-së dhe ndërtesën e Radio Prijedorit.

“Kam udhëhequr operacionin e kontrollit në Stacionin  e Policisë, ndërtesa e Bashkisë, selinë e SDS-së, Radio Prijedori ku kemi gjetur disa kaseta që nuk mund t’i transkriptonim”, tha Rid për Gjykatën e Hagës.

Lidhur me kontrollimin e 4 objekteve në vitin 1997, eksperti Rid, deklaroi se nuk kishin bërë inventarin e materialeve në objektet ku ishin gjetur dokumentet, mirëpo dokumentet e sekuestruara i kishin marrë dhe inventarizimin e tyre e kishin bërë në bazën ushtarake në Banja Lluka.

“Do të kishin bërë inventarin e dokumenteve në ndërtesën në të cilën është kontrolluar, mirëpo ushtarët na kanë këshilluar që dokumentet t’i marrin dhe të shkojnë në bazën e tyre për shkak të sigurisë”, theksoi eksperti Rid.

Tutje ai u pajtua me prokuroren Boliqi se nëse do të kishin bërë inventarin e dokumenteve në objektet ku u sekuestruan operacioni i kontrollit do të zgjaste 33 orë.

Por eksperti Rid shtoi se “në çdo operacion tonë kemi pasur ndihmës gjyqësorë me vete që na kanë ndihmuar duke përshkruar se çfarë përmban ai dokumentacion, pasi dokumentet ishin në gjuhën boshnjake”.

Në këtë fazë të procesit penal në Gjykatën e Hagës po merren dëshmi për të vërtetuar se si është bërë ruajta e zingjirit të provave dhe për të vërtetuar autenticitetin ( vërtetësinë) e këtyre provave.

Lidhur me zingjirin e ruajtjes së provave eksperti Rid tha se “COC është zingjiri i ruajtjes, është proces dhe nuk ka fare të bëjë me vulën, ka të bëjë me meta-datat, që ne ia jepnin njësisë së provave që tregonte zingjirin e pa prishur të provave që tregonte minutat prej që janë marrë e deri në momentin kur janë dërguar në Hagë”.

Tutje ai sqaroi se e rëndësishme për zingjirin e ruajtjes së provave është mënyra se si janë trajtuar provat e marra e jo si janë etiketuar.

“Ajo që ka rëndësi është se si dokumentet janë trajtuar, jo se si janë etiketuar për të ruajtur zingjirin e ruajtjes”, vazhdoi tutje dëshmitari.

Gjatë dhënies së deklaratës së tij eksperti Rid, u pyet nga prokurorja Boliqi nëse për hartimin e raportit të tij kishte marrë për bazë disa dokumente të ZPS-së të cilat iu shfaqën në monitor e për të cilat ai deklaroi se nuk i kishte pasur në dispozicion kur ka hartuar raportin.

“Unë nuk kam pasur në dispozicion deklaratën e hetuesve për ndjekjen e procedurave”, theksoi eksperti Rid.

Tutje ai deklaroi se “… Nuk thashë që ZPS nuk ka ndjekur procedurë të rregullt, por sipas mendimit tim ju është dashur të ndjekin një procedurë të veçantë”, vazhdoi dëshmitari Rid.

Deklaratën e tij ai e përmbylli duke theksuar se dokumentet që i janë prezantuar sot nga prokurorja Boliqi nuk i ka pasur gjatë hartimit të raportit.

Prokurorja Boliqi kërkoi nga trupi gjykues që të pranohen si prova dokumentet që i janë paraqitur sot dëshmitarit Rid.

Ndërsa avokati Toby Kadman, mbrojtës i Nasim Haradinaj e kundërshtoi kërkesën e prokurores Boliqi që si prova të pranohen dokumentet e prezantuara sot nga prokurorja Boliqi, pasi të njëjtat kanë të bëjnë me korniza historike që s’kanë lidhje me procesin në fjalë?

Haradinaj dhe Gucati akuzohen se në prill dhe shtator 2020, bën deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me ZPS-në dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata, ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

Ata akuzohen edhe se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet konfidenciale të Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së, inkurajuan të tjerë të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik.

Sipas Dhomave të Specializuara të dy organizuan dhe bashkërenduan së bashku me disa të tjerë shpërndarjen e paautorizuar të informacionit konfidencial dhe jopublik dhe veprime të tjera në lidhje me të.

Madje në aktakuzë thuhet se të dy në cilësinë e kryetarit dhe nënkryetarit OVL-UÇK-së, mbajtën një konferencë për shtyp në të cilën i ekspozuan dokumentet e DSP-së mbi një tavolinë.

Sipas DSP ata mbajnë përgjegjësi për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.