Pjetër Shala - 23.04.2021

Gjykimi i Pjetër Shalës, avokati kërkon që Shala të lirohet apo t’i caktohet arresti shtëpiak

Përmes një parashtrese drejtuar gjykatës, avokati Jean-Louis Gilissen ka kërkuar lirim të përkohshëm për Pjetër Shalën apo aplikimin e ndonjë mase tjetër si arrest shtëpiak.

Shala po akuzohet se ka kryer krime të luftës, në fabrikën e metalit në Kukës së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së. Prokuroria pretendon se ai ka ndalur persona të ndryshëm në qeli të cilët i ka keqtrajtuar dhe rrahur me mjete të ndryshme.

Mbrojtja ka konsideruar se SPO-ja ka dështuar të japë ndonjë bazë konkrete që mund të tregojë se vazhdimi i paraburgimit të të akuzuarit është i nevojshëm dhe arsyeshëm.

“Më 15 prill 2021, Shala u transferua në Objektet e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, Holandë. Më 19 prill 2021, ai u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat. Deri më sot, i akuzuari ka qenë në paraburgim në Objektet e Paraburgimit të DhSK për më shumë se 21 muaj. Vazhdimi i paraburgimit të të akuzuarit është i pajustifikuar pasi nuk është as i nevojshëm dhe as proporcional”- thuhet në parashtresë.

Avokati Jean-Louis Gilissen më tej ka arsyetuar se sa më gjatë t’i vazhdohet paraburgimi Shalës aq më e lartë do të jetë barra e ZPS.

“Sa më gjatë të qëndrojë i akuzuari në paraburgim, aq më e lartë është barra e ZPS-së për të justifikuar vazhdimin e paraburgimit. ZPS ka dështuar të vërtetojë se i akuzuari, nëse lirohet, do të arratiset, do të pengojë procedurat ose do të kryejë krime të mëtejshme, dhe si rrjedhim, nuk ka përmbushur kërkesat e nenit 41(6)(b) të Ligjit Nr. 05/L- 053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”- përshkruhet në parashtresë.

Pjetër Shala është arrestuar më 16 mars 2021, nga autoritetet belge ku dhe është duke qëndruar në paraburgim.

Shala akuzohet për krimet të cilat supozohet se u kryen midis majit dhe qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në një fabrikë në Kukës të Shqipërisë.

Në aktakuzën e konfirmuar më 12 qershor 2020 e të redaktuar më 15 prill 2021, prokuroria pretendon se Shala kishte kryer krime të luftës, në fabrikën e metalit në Kukës së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.

Sipas aktakuzës Pjetër Shala akuzohet së bashku me persona të tjerë, si Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi, dyshohet se kishin dërguar në qeli persona të ndryshëm në mënyrë të kundërligjshme duke i prangosur.

Shala akuzohet se i kishte keqtrajtuar të ndalurit në këtë qeli dhe i kishte rrahur me mjete të ndryshme.

Sipas prokurorisë personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.

Në aktakuzë përshkruhen pretendimet se Pjetër Shala, Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi kishin marrë në pyetje dhe rrahur një person me shufër metalike, shkop bejsbolli dhe armë.

Tutje në aktakuzë thuhet se të ndaluarit ishin rrahur mizorisht edhe pse ishin të plagosur me armë dhe njëri nga ta pasi nuk kishte pasur ndihmë mjekësore kishte ndërruar jetë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar pos të tjerash pretendon se si pasojë e keqtrajtimit të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës, shumë viktima humbën vetëdijen, pësuan thyerje eshtrash dhe u mbuluan me gjak.

Sipas prokurorit të specializuar, Shala ngarkohet me akuza për vrasje, torturë, ndalim arbitrar dhe trajtim mizor.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK