Gjykata vendos lidhur me panelin e Apelit që do të vendosë për ankesën e Thaçit lidhur me vendimin për vazhdim të paraburgimit

Dhomat e specializuara kanë publikuar një vendim përmes të cilit është bërë e ditur se gjyqtarja Ekaterina Trendafilova ka caktuar përbërjen e panelit që do të jenë kompetent për të vendosur lidhur me ankesën e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.

Ankesa e mbrojtjes së Thaçit ka të bëjë me vendimin e gjykatësit të procedurës paraprake për vazhdimin e paraburgimit ndaj tij.

Paneli i Apelit që do të shqyrtoj ankesën përbëhet nga gjyqtarët Michèle Picard, Emilio Gatti dhe Nina Jørgensen.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po akuzohen se si drejtues të UÇK-së kishin kryer krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë.

Për këto akuza ata po mbahen në paraburgim prej momentit kur ishin arrestuar në Kosovë.

Ata po akuzohen se ndërmjet marsit 1998 dhe shtatorit 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, duke arrestuar dhe ndaluar persona civilë në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.

Për të gjitha këto krime të pretenduara, prokurori Jack Smith i ngarkon Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin se ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre, mirëpo kishin nxitur kryerjen e tyre.

Në këtë aktakuzë thuhet se Thaçi dhe të tjerët nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxitën vrasjen e tyre.