Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, Hagë

Gjykata Speciale u lejon të akuzuarve që për çështje të caktuara të apelojnë vendime mbi mocionet që pretendojnë defekte në aktakuzë

Dhomat e Specializuara përmes një vendimi të marrë i kanë lejuar Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit, që për çështje të caktuara të ngritura nga ana e tyre, të apelojnë vendimin mbi mocionet e mbrojtës ku pretendohet për defekte në formën e aktakuzës.

Ky vendim është publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës.

Vendimi është marrë nga gjykatësi i procedurës paraprake Nicolas Guillou.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po akuzohen se si drejtues të UÇK-së kishin kryer krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë.

Për këto akuza ata po mbahen në paraburgim prej momentit kur ishin arrestuar. Ata po akuzohen se ndërmjet marsit 1998 dhe shtatorit 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, duke arrestuar dhe ndaluar persona civilë në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave, bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.