Gjykata Speciale thotë se në fundvit do t’ia kaloj çështjen e Thaçit dhe të tjerëve trupit gjykues

 

Gjykimi ndaj ish-presidentit, Hashim Thaçi dhe të tjerëve të cilët po qëndrojnë në paraburgim në Hagë pritet të fillojë këtë fundvit.

Në konferencën e 15-të mbi ecurinë e çështjes ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, gjykatësiNicolas Guillou ka thënë në fundvit çështjen do t’ia kalojë trupit gjykues.

“Para se t’u jap fjalën palëve që të paraqesin pikëpamjet e tyre për secilën pikë të rendit të ditës, konfirmoj se synoj t’ia kaloj çështjen trupit gjykues përpara fundit të vitit. Synoj të marrë vendim mbi kërkesat që më janë paraqitur deri tani për shqyrtim”- ka deklaruar gjykatësi Guillou.

Në këtë konferencë, mbrojtja e Thaçit ka filluar me kritika dhe shqetësime kundër Zyrës së Prokurorit të Specializuar për mosdorëzimin e materialeve shfajësuese.

Avokati i Thaçit, Gregory Kehoe ka thënë se nxjerrja e materialeve po bëhet me vonesë pavarësisht qortimeve të gjykatësit të procedurës paraprake

“Nuk e di se si do ta rregullojmë këtë i nderuar gjykatës… ka një sërë dokumentesh të cilat nuk janë zgjidhur dhe vazhdojnë të na dorëzohen”- u shpreh Kehoe.

Diskutimet për këto materiale, tutje kaluan në seancë private.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Ndaj tyre po rëndojnë akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.