Gjykata Speciale refuzon kërkesën për përshpejtimin që 8 diplomatë ndërkombëtarë të dëshmojnë pro Hashim Thaçit

Gjykata Speciale në Hagë ka refuzuar kërkesën për përshpejtimin e Gregory Keohe që tetë diplomatë ndërkombëtarë të japin dëshminë e tyre pro-ish presidentit Hashim Thaçi, i cili po gjykohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ish-komandanti i forcave të NATO-s për Evropë, Wesley Clark, ish-shefi i UNMIK-ut, Bernard Kouchner, ish-shefi i misionit të OSBE-s në Kosovë, William Walker, Steve Bennett, ish-drejtor i Misionit të OSBE-s për Edukim dhe Zhvillim Policor, Jock Covey, zëvendësdrejtor i UNMIK-ut dhe  ish-këshilltari politik i Clarkut, Michael Durke, janë dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja e Thaçit.

Por, Nicolas Guillou, gjykatës i procedurës paraprake dje ka marrë vendim që kjo kërkesë të refuzohet si e paarsyeshme dhe jashtëligjore.

“SPO përgjigjet se mocioni dhe shtojca duhet të refuzohen, sepse masave të kërkuara u mungon baza ligjore dhe arsyetimi adekuat”- thuhet në vendimin e Gjykatës.

Gjykata ka konsideruar se mosha e shtyrë dhe shëndeti i dëshmitarëve tani për tani nuk përbëjnë një faktor kyç në rast.

“Në lidhje me argumentet e Mbrojtjes së Thaçit lidhur me Dëshmitarët (si “mosha e shtyrë” dhe “problemet shëndetësore”), gjyqtari i procedurës paraprake vëren se Dëshmitarët janë të moshës 77-87 vjeç. Megjithatë, asgjë në Mocion apo Shtojcë nuk tregon se gjendja shëndetësore e dëshmitarëve është, aktualisht, një shqetësim serioz që do të garantonte ruajtjen e menjëhershme të provave të tyre. Përkundrazi, gjyqtari i procedurës paraprake vëren se Mbrojtja se Thaçit pranon se shëndeti i dobët ose i sëmurë i Dëshmitarëve “nuk është aktualisht një faktor në këtë rast”- ka thënë gjykatësi Nicolas Guillou.

Gjykata më tej ka udhëzuar mbrojtjen e Thaçit se propozimin e dëshmitarëve mund ta bëjë kur çështja të kalojë në trup gjykues.

“Në dritën e transmetimit të afërt të çështjes në gjykim dhe caktimit të mëvonshëm të një trupi gjykues, gjyqtari i procedurës paraprake është i mendimit se vlerësimi i rëndësisë, domosdoshmërisë dhe planifikimit të dëshmisë së dëshmitarëve është një çështja që më së miri vendoset nga trupi gjykues që do të caktohet për të shqyrtuar çështjen”-thuhet mes tjerash në vendim.

Si rrjedhojë, kërkesa që tetë diplomatët të japin dëshminë e tyre menjëherë, është rrëzuar.

“Gjyqtari i procedurës paraprake konstaton se mbrojtja e Thaçit nuk ka arritur të vërtetojë kërkesën e saj për një mundësi unike hetimore dhe e refuzon kërkesën për masën e parë. Siç u tha, ky vendim është pa paragjykim ndaj çdo parashtrimi të ardhshëm në një trup gjykues të ngritur me këtë çështje në lidhje me modalitetet, kohën dhe kronologjinë e dëshmisë së Dëshmitarëve”- citohet në vendim.

Vendimin e plotë mund ta lexoni në web faqen e Gjykatës Speciale.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Deri më tani, Gjykata ka refuzuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri të ish- krerëve të UÇK-së.

Ata  po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.