Gjykata Speciale: Prokuroria do që gjyqi ndaj Salih Mustafës të fillojë më 12 korrik

Në seancën ndaj Salih Mustafës, i njohur si komandant “Cali”, Prokuroria kërkoi që gjyqi ndaj të njëjtit të fillojë më 12 korrik dhe se planifikojnë që të marrin në pyetje dëshmitarë para se të fillojë pushimi veror në Gjykatë.

Salih Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet në paraburgim në Hagë.

Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ish-komandant “Cali” akuzohet për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Sipas aktakuzës, në prill të vitit 1999, Mustafa së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me roje, ndër të tjera në një stallë të kyçur.

Aktakuza e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar gjatë luftës.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij, Salih Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.

 

 

 

Rasti Salih Mustafa, sot konferenca përgatitore për gjykim

Mbrojtësja e viktimave në Gjykatën Speciale në rastin e Salih Mustafës kërkon që të vizitojë Kosovën