Gjykata Speciale ia vazhdon paraburgimin Pjetër Shalës

 

Ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, i është vazhduar masa e paraburgimit nga Gjykata Speciale në Hagë.

Shala akuzohet për trajtim mizor, torturë dhe krime lufte, vrasje, si anëtar i “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka kundërshtuar lirimin e tij me kusht pasi i njëjti sipas tij mund të arratiset, mund të pengojë ecurinë e procedurave të Dhomave të Specializuara ose ekziston rreziku i kryerjes së krimeve të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së.

Guillou më tej ka konsideruar se me lirimin me kusht të Pjetër Shalës mund të rrezikohen dëshmitarët që kanë dëshmuar ose do të dëshmojnë në Dhomat e Specializuara.

Pjetër Shala akuzohet për krimet të cilat supozohet se u kryen midis majit dhe qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në një fabrikë në Kukës të Shqipërisë.

Në aktakuzën e konfirmuar më 12 qershor 2020 e të redaktuar më 15 prill 2021, prokuroria pretendon se Shala kishte kryer krime të luftës, në fabrikën e metalit në Kukës së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.

Sipas aktakuzës Pjetër Shala akuzohet së bashku me persona të tjerë, si Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi, dyshohet se kishin dërguar në qeli persona të ndryshëm në mënyrë të kundërligjshme duke i prangosur.

Shala akuzohet se i kishte keqtrajtuar të ndalurit në këtë qeli dhe i kishte rrahur me mjete të ndryshme.

Sipas prokurorisë personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.

Në aktakuzë përshkruhen pretendimet se Pjetër Shala, Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi kishin marrë në pyetje dhe rrahur një person me shufër metalike, shkop bejsbolli dhe armë.

Tutje në aktakuzë thuhet se të ndaluarit ishin rrahur mizorisht edhe pse ishin të plagosur me armë dhe njëri nga ta pasi nuk kishte pasur ndihmë mjekësore kishte ndërruar jetë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar pos të tjerash pretendon se si pasojë e keqtrajtimit të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës, shumë viktima humbën vetëdijen, pësuan thyerje eshtrash dhe u mbuluan me gjak.

Sipas prokurorit të specializuar, Shala ngarkohet me akuza për vrasje, torturë, ndalim arbitrar dhe trajtim mizor.

Shala është arrestuar më 16 mars 2021 nga autoritetet belge ku dhe është duke qëndruar në paraburgim.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK