Foto: Driton Lajçi/Facebook

Gjykata Speciale hedh poshtë ankesën e Driton Lajçit

Dhomat e Apelit të Gjykatës Speciale kanë hedhur poshtë ankesën e Driton Lajçit kundër vendimit për të urdhëruar prokurorin e specializuar për pushim të hetimeve sipas nenit 159 të Kodit të Procedurës Penale.

vendimin e datës 1 tetor 2021, Dhoma e Apelit të Gjykatës Speciale arsyetoi se hetimi nga prokurori i specializuar para këtyre dhomave nuk lidhet me nenin 159 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës por në bazë të standardit ‘kohë e arsyeshme’.

Driton Lajçi drejtues i zyrës qeveritare për mbrojtje juridike të të akuzuarve potencialë në Gjykatën Speciale, ka ushtruar ankesë ndaj vendimit të Gjykatës Speciale lidhur me afatin e fillimit dhe përfundimit të hetimit nga prokurori i specializuar.

Lajçi këtë ankesë e kishte bërë në bazë të nenit 159 paragrafi 1 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës që lidhet me kohën e hetimeve.

Sipas këtij neni, nëse brenda 2 viteve nga fillimi i hetimit nuk ngritët aktakuzë, hetimi duhet të pushohet.

Po ashtu Lajçi në ankesën e tij kishte pretenduar se koha e hetimeve nga ana e prokurorit të specializuar nuk përkon me parimin “reasonable time” brenda një kohe të arsyeshme.

Kolegji i Apelit i përbërë nga gjyqtarët Michèle Picard, Emilio Gatti, Kai Ambos ka gjetur se ankesa e Lajçit është e pabazuar sepse neni 159 paragrafi 1 i Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës nuk është i zbatueshëm për hetimet e zyrës së prokurorit të specializuar.

Kolegji i Apelit të Dhomave të Specializuara në lidhje me pjesën e aplikimit të ‘kohës së arsyeshme’ nga rregulla e 47 të Rregullores së Punës të Dhomave të Specializuara ka gjetur se standardi i ‘kohës së arsyeshme’ është zbatuar në përputhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, konventë e cila në raport me ligjet e Kosovës ka superioritet në zbatim.