Gashi në Speciale: Dokumentet i kemi publiku me qitë në dritë bashkëpunimin e Speciales me Serbinë

(Vazhdimi i seancës – 10.12.2021 – 13:08)

Gashi në Speciale: Dokumentet i kemi publiku me qitë në dritë bashkëpunimin e Speciales me Serbinë

“Tre paketat i kemi publiku për të qitë në dritë bashkëpunimin e Dhomave të Specializuara me atë të Serbisë.

Kështu u përgjigj dëshmitari Gashi në pyetjen e parashtruar nga ana e prokurorit lidhur me deklarimin e mëparshëm të tij se “dëshironin të minonin dhomat e specializuara”.

Dëshmitarit me insistimin e prokurorit përsëri iu lexua deklarata: “Publiku Kosovar duhet të informohet lidhur me përmbajtjen e paketës meqë kjo do të minonte Dhomat e Specializuara të Kosovës(DhSK) i cili është organ që ne nuk e njohim si legjitim”.

Gashi tha se këtë e ka thënë për të treguar bashkëpunimin e Speciales me Serbinë.

“Unë e dhashë mendimin tem, unë veç drejtën e kom tregu. Ju vet e keni minu, keni marrë materiale prej Serbie na jo. Unë se kam pru atë pako në zyre”, ka thënë Gashi duke shtuar se e mbështet Nasim Haradinajn dhe Hysni Gucatin. (Autore: Arlinda Mehmeti)

 

(Vazhdimi i seancës – 10.12.2021 – 12:48)

Dëshmitari në Speciale: Në pakon e sjellë ka pasur dokumente në gjuhën serbe

Çelë Gashi, është dëshmitari i mbrojtjes i cila po dëshmon sot në gjykimin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Në Dhomat e Specializuara dëshmitari tregoi se ai kishte parë disa dokumente në gjuhën serbe dhe në to kishte lexuar edhe emrin e Vukoviqit për cilin nuk kishte dëgjuar më parë por ai emër sipas dëshmitarit ishte përfshirë në shumë fleta.

Sjellja e dokumenteve sipas dëshmitarit ishte një skenë shumë e dyshimtë pasi që në të kanë mendar se ka të vendosur një bombë.

“Disa thonin që paketa kishte bombë dhe kjo shkaktonte panik, megjithatë kur Nasimi shkoi të shikonte ne e kuptuam që në paketë kishte vetëm letra, sapo u kuptua një gjë e tillë situata u qetësua”,  deklaroi dëshmitari.

Me bërjen publike të këtyre dokumenteve Gashi sqaroi se kanë menduar se duhej të informohej publiku lidhur me përmbajtjen e paketave që nga një person i panjohur ishin dërguar në OVL-UÇK.

“Duke shikuar paketat, ne menduam se si ka mundur ZPS të bie në nivelin e Serbisë. Isha i hutuar lidhur me qëllimin e arsyes pse ishin sjellë dokumentet. Ne menduam që publiku Kosovar duhet të informohej lidhur me përmbajtjen e paketës meqë kjo do të minonte Dhomat e Specializuara të Kosovës) i cili është organ që ne nuk e njohim si legjitim”, ka thënë dëshmitari.

Me gjithë insistimin e prokurorit, Gashi ka sqaruar se dokumentet e sjella nuk i ka lexuar në tërësi.

“Kam lexuar disa, ka qenë pjesë sepse kam shkuar të Taibja, ajo ka qenë e shqetësuar shumë. Gjithsej ndoshta 30 minuta i kam lexuar, në të ka pasur letra për Vukoviqin”, tha Çelë Gashi. (Autore: Arlinda Mehmeti)

 

(Vazhdimi i seancës – 09.12.2021 – 17:39)

Dëshmitari Kryeziu: Do të doja të isha i burgosur unë në vend të Gucatit e Haradinajt

Në gjykimin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt në Gjykatën Speciale është dëgjuar edhe dëshmia e Metush Kryeziut, anëtar i kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Dëshmitari tha në Gjykatë se ai kishte dëshirë që të ishte duke u gjykuar në vend të Haradinajt e Gucatit.

“Hysniu është i plagosur në këmbë dhe vuan nga diabeti kronik, sa i përket Nasimit nuk njoh ndonjë familje tjetër në Kosovë që ka vuajtur më shumë se familja e Nasimit”, tha dëshmitari.

Kryeziu ka treguar edhe momentin kur zyrtarët e ZPS-së kanë shkuar për t’i marrë dosjet.

Më 17 shtator 2020 tha se ka qenë në zyrat qendrore të OVL-UÇK në Prishtinë kur aty sipas tij kishin arritur hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Ai ka thënë se nuk ka folur me asnjërin nga personat e ZPS, duke shtuar që të njëjtit kanë biseduar me Gucatin e Haradinajn. Pas kësaj, zyrtarët e ZPS-së i kanë marrë dokumentet dhe janë larguar nga vendi.

Ndryshe nga dëshmitarët paraprakë, për Kryeziun trupi gjykues nuk ka pasur pyetje veçse nga mbrojtja u lexua deklarata e tij me shkrim, të cilën trupi gjykues e pranoi si provë materiale.

Me deklaratën e Kryeziut, trupi gjykues ka përfunduar dëgjimin e dëshmitarëve të mbrojtjes për sot.

Procesi gjyqësor do të vazhdojë edhe nesër në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Sipas aktakuzës, në organizatën që Gucati e Haradinaj drejtonin, kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto Gucati e Haradinaj  pretendohet se i kanë bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

Gucati ishte vetëdeklaruar  i pafajshëm në lidhje me të gjitha pikat e aktakuzës kurse Haradinaj vendosi të vetëdeklarohet në lidhje me fajësinë ose pafajësinë brenda 30 ditësh.

Në paraqitjen e mëtejshme, më 8 janar 2021, Haradinaj nuk u vetëdeklarua në lidhje e bazuar në rregullën 92(2)(f) të Rregullores, gjykatësi i procedurës paraprake bëri deklarimin në emër të të akuzuarit se është i pafajshëm.

(Vazhdimi i seancës – 09.12.2021 – 16:36)

Dëshmitari Marashi: Sjellja e këtyre dosjeve është për t’u gjykuar nga Specialja

Dëshmitari Pren Marashi, anëtar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka dëshmuar në gjykimin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Hardinajt.

Marashi për trupin gjykues ka thënë se ardhja e dosjeve në zyret e OVL – UÇK-së është çështja e cila duhet diskutuar dhe dënuar e jo të bëhet gjahu ndaj ushtarëve të UÇK-së.

“Publikimi i dosjeve, ju lutem më lejoni ta përfundoj… publikimi i këtyre dosjeve, ardhja e tyre në organizatën e veteranëve është çështja që duhet të brengosë edhe mua, edhe Hysniun edhe të gjithë çka jemi ushtarë të UÇK-së, sepse e dimë nga rrjedhin”, ka thënë dëshmitari.

Ai më pas ka treguar se zyrtarë të ZPS-së pa ndonjë procedurë apo pa ndonjë procesverbal i kanë bastisur zyret e OVL-së.

“Nuk përputhej sjellja me një zyrtar i cili ka ardhur në mënyrë të mirësjellshme që të kërkojë një dokument ose një shërbim por erdhi në formë urdhri pa treguar asnjë dokument, ishte vetë i dyti dhe dy përkthyes i kishte me vete”, ka thënë ai.

Marashi në dëshminë e tij gjithashtu ka shprehur qëndrim se përkrah Nasim Haradinajn dhe pati qëndrim të kundërt ndaj formimit të Gjykatës Speciale ngase, sipas tij, ishte krijuar kundër vullnetit.

(Vazhdimi i seancës – 09.12.2021 – 01:53)

Gazetarja: Gucati e Haradinaj s’janë të akuzuar, ju po i mbani peng ata

Elemedina Ballazhi, gazetare në Arbëresh.info, po jep dëshminë e saj në gjykimin ndaj ish krerëve të OVL-UÇK-së.

Balazhi, nga Specialja është pyetur rreth incizimit që i ishte bërë personit të panjohur duke sjellë dokumente.

“Kam pa 2 persona në veturë, vetura sa ndalej dhe ecte, ma ka tërheq shikimin dhe kam vazhduar ta shikojë”, shpjegoi dëshmitarja.

Sipas dëshmitares Balazhi, personi që ka dalë nga vetura ishte mashkull dhe kishte rroba sportive, maskë dhe kapele. Pas kësaj ajo tregoi se kur e kishte parë personin me dokumente iu ka lutur Pajtimit (Kameramanit) të xhirojë.

“Kur e kam pa iu kam lutur Pajtimit të xhirojë, e kam tërheq vëmendjen nga vetura sepse jam fokusuar në personin që kishte pako në duar”, ka thënë ajo.

Rreth çështjes Haradinaj e Gucati ajo theksoi se z.Hradinaj dhe të gjithë ata që luftuan, janë duke vuajtur burgun padrejtësisht.

Duke iu përgjigjur pyetjeve për publikimin e videove të sjelljes së dokumenteve në zyret e OVL-UÇK-së, gazetarja ka thënë se dokumentet erdhën nga vetë Specialja.

“Rrjedhja e dokumenteve mendoj se ka ndodhur nga zyra e ZPS-së dhe gjykata është në Holandë – jo në Kosovë. Pse lejuat ju rrjedhjen e dokumenteve, ju po i mbani peng, ata s’janë të akuzuar për mua”, tha Balazhi.

Ballazhi ka bërë të ditur se sot ka ditëlindjen dhe është dëshmitare në rastin e Gucatit dhe Haradinajt. Nga të pranishmit në seancë iu urua ditëlindja.

(Vazhdimi i seancës – 09.12.2021 – 12:29)

Dëshmon në Speciale asistentja teknike e OVL-UÇK, Taibe Miftari

Taibe Miftari, asistente teknike në organizatën e OVL-UÇK-së, ka dhënë dëshminë në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Për trupin gjykues, Miftari ka treguar për ditën e pranimit të pakove në zyrën e kësaj organizate.

Sipas saj, tre herë ka ndodhur që në zyre ku punonte ajo, nga persona të panjohur ishin sjellë pako me dokumente për të cilat thuhej se ishin dokumente të Speciales.

Fillimisht, personi që i kishte sjellë dokumentet, ditën e parë, e kishte lënë pakon dhe kishte ikur nga vendi pa folur asnjë fjalë.

“Me datë 7, 16, dhe 22 shtator 2020, janë sjellë dokumentet në zyre dhe e vetmja gjë ishte se ai person kishte thënë me zë shumë të lartë “Jepja atij që flet në televizion”.

Miftari mohoi faktin të ketë marrë pjesë në konferencat e organizuara nga Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Sjellja e disa dokumenteve të Gjykatës Speciale në zyrat e OVL-UÇK-së nga një person ende i panjohur e më pas bërja publike e tyre në konferenca mediatike, është arsyeja e gjykimit ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së po ngarkohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve për hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj po qëndrojnë në paraburgim në Hagë nga 25 shtatori i vitit 2020 kur edhe u arrestuan në Prishtinë.

 

Të gjitha raportimet për procesin gjyqësor nga Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt mund t`i lexoni në linkun e më poshtëm:

Gucati përfundon dëshminë e tij pranë Hagës