FOTO: Thaçi, Veseli, Selimi, dhe Krasniqi në Gjykatën Speciale

Dosja e Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit përmban 11 mijë dokumente

Ndaj ish krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit të akuzuar për krime luftë, sot po mbahet seancë përgatitore në Gjykatën Speciale.

Shqetësimi kryesor i paraqitur nga avokati Ki Ho mbrojtës i Hashim Thaçit, është dosja voluminoze e pa kategorizuar, e pa përkthyer dhe e pa zbërthyer.

Materiali në fjalë ka të bëjë më rregullat 102 B, 102.3, përfshin në vete deklarata të dëshmitarëve, ekspertëve, raporte e materialet provuese.

Avokati Ki Ho mbrojtësi i Hashim Thaçit kërkoi nga gjykata që të nxjerrin urdhër që të kategorizojnë materialin provues si në materialin 1B, sepse janë mbi 4 mijë faqe informacioni të pa zbërthyer, ku do të mbështeten prokurorët në cilat shkresa dhe informacione.

“Gjithsej deri më tani kami  marrë 11 mijë dokumente, 8,242 prej tyre 75 % e dokumenteve janë marr pas seancës së fundit” tha avokati Ki Ho.

“70% e materialeve të Prokurorisë janë të panjohura për ne dhe të akuzuarit ende qëndrojnë në paraburgim, duhet të bëjmë diçka për të ruajtur kredibilitetin e këtij tribunali dhe si rezultat gjykimi nuk mund të fillojë para verës së ardhshme”, deklaroi avokati Ki Ho.

Gjithashtu Ki Ho deklaroi se Prokuroria nuk mund të bëjë nën kategorizimin sepse është shumë e vështirë dhe do shumë kohë.

Prokurorja e Specializuar deklaroi se nën kategorizimi i materialit 102A trajtohet jo vetëm në përmbledhjen e materialit, por ky material prej 9 muajsh ka qenë në shqyrtim nga mbrojtja dhe është shumë e lehtë për të gjetur se cila shkresë i përket cilës kohë dhe cilës ngjarje.

“Jo se ne nuk duam ta bëjmë përmbledhjen e hollësishme të çështjes, por problemi është se në këtë kohë nuk mund të bëjmë këtë nën- kategorizim sepse nuk kemi burime për shkak të COVID-19”, tha ajo.

Prokurorja e Specializuar deklaroi se nga 3 dëshmitarët ndërkombëtar, dy prej tyre janë miratuar dhe janë të njohur, po ashtu edhe raportet e 3 ekspertëve kriminalistikë, do të merren me kohë, por duhet bërë disa redaktime si dhe njoftoi se kërkesat për masat mbrojtëse për 5 dëshmitarë janë miratuar.

“Por nuk jemi ende në gjendje të konfirmojmë nëse edhe 3 dëshmitarë ndërkombëtar të tjerë do të miratohen për të dëshmuar deri më 27 shtator”, tha prokuroja e specializuar.

ZPS-ja ka nxjerrë 24 paketa me material në këtë çështje penale, dhe gjykatësi i procedurës paraprake kërkoi nga ZPS të dijë se edhe sa material do të mbetet pa nxjerrë deri më datën 27 shtator.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkoi afat shtesë për përkthimin e materialit provues ndonëse mendojnë se ato do t’i përfundojnë në dhjetor por nuk dhanë një kohë e datë të saktë.

Ndërsa mbrojtja e Thaçit tha se “një material i tillë nuk mund të përkthehet para verës së ardhshme”.

Aktakuza ndaj katër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, ishte konfirmuar më 26 tetor 2020.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po akuzohen se si drejtues të UÇK-së kishin kryer krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë.

Për këto akuza ata po mbahen në paraburgim prej momentit kur ishin arrestuar në Kosovë.

Ata po akuzohen se ndërmjet marsit 1998 dhe shtatorit 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, duke arrestuar dhe ndaluar persona civilë në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.

Për të gjitha këto krime të pretenduara, prokurori Jack Smith i ngarkon Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin se ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre, mirëpo kishin nxitur kryerjen e tyre.

Në këtë aktakuzë thuhet se Thaçi dhe të tjerët, nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxitën vrasjen e tyre.

Sipas Prokurorisë, krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike dhe veprimeve në terren, frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës.

Pjesë e aktakuzës 68-faqëshe të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme. Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë.

Sipas Prokurorisë ato janë kryer në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.

Në aktakuzë thuhet se një person gjatë vitit 1998 ishte mbajtur në kazermat e UÇK-së në Jabllanicë dhe ishte rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK-së.

Aktakuza pretendon se fatin e njëjtë e kishin pasur edhe dy viktima të tjera të cilat ishin dërguar në kazermën e UÇK-së në Jabllanicë.

Përpos vrasjeve në Jabllanicë në aktakuzë pretendohet se në fshatin Llapushnik ishte arrestuar një person nga pjesëtarët e UÇK-së ishte rrahur dhe ishte marrë në pyetje dhjetë netë rresht ndërsa në fund ishte vrarë.

Aktakuza tutje pretendon se pas një ofensive serbe, forcat e UÇK-së në Llapushnik kishin arrestuar afërsisht 30 persona, ku disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë ndërsa të tjerët ishin qëlluar dhe vrarë. Aty përshkruhet edhe për gjashtë vrasje të kryera në Drenoc.

Sipas Prokurorisë gjashtë burra ishin arrestuar, rrahur dhe vrarë dhe eshtrat e tyre nuk ishin parë më kurrë.

Pjesë e aktakuzës janë edhe akuzat për vrasjen e 11 civilëve serbë në Malishevë. Sipas aktakuzës në korrik të vitit 1998 një grup prej 11 të arrestuarish serbë u transferuan në një dhomë në bodrumin e një ndërtese në Malishevë.

Aty përshkruhet se këta civilë ishin rrahur dhe shqelmuar nga anëtarët e UÇK-së, e më pas ishin qëlluar dhe vrarë. Prokuroria e Specializuar në këtë aktakuzë ka përfshirë edhe qendrën e paraburgimit në Kleçkë.

Në këtë lokacion sipas prokurorit të specializuar, gjashtë persona ishin dërguar dhe ishin rrahur për vdekje nga anëtarët e UÇK-së.

Një tjetër person sipas prokurorit të specializuar kishte vdekur si rezultat i keqtrajtimit në Kukës.

Në këtë keqtrajtim thuhet se kishte marrë pjesë edhe Sabit Geci. Tre persona të tjerë ishin arrestuar në Rahovec, ata sipas aktakuzës ishin rrëmbyer nga ushtarët e UÇK-së në shtëpitë e tyre ndërsa nuk ishin parë më kurrë.

Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e sipërpërmendura sipas prokurorit të specializuar është përgjegjësia komanduese.