Detaje nga vendimi i Speciales që quan në konfirmimin e aktakuzës ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit

Nga Dhomat e Specializuara në Hagë, sot është publikuar vendimin me të cilin u konfirmua aktakuza për krime lufte ndaj klasës politike të Kosovës duke filluar nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi për kohën sa ishin eprorë të UÇK-së.

Jakup Krasniqi, u arrestua më 4 nëntor nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, ku edhe u dërgua në Hagë, ndërsa Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi më 5 nëntor janë dërguar në Hagë.

Aktakuza ndaj tyre është e përpiluar në 236 faqe. Ndër të tjera, në pikat e aktakuzës, ndaj tyre rëndon aktakuza për krime, vrasje, tortura në lokacione si: Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Volljakë, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Llapashticë, Majac, Zllash, dhe të tjera.

Në këtë version të plotë, Dhomat e Specializuara kanë publikuar data, vende dhe raste specifike, të kryerjes së krimeve sipas pretendimeve të Speciales.

Gjykatësi i Procedurës paraprake, Nicolaus Guillio më 26 tetor ka nxjerrë vendim me 521 pika, me të cilin ka konfirmuar aktakuzën ndaj Thaçit, Veselit dhe Krasniqit dhe Selimit.

Në pikën 139 të këtij vendimi gjykatësi Guillio, në bazë të materialit mbështetës të aktakuzës ka gjetur se të paktën ndërmjet prillit të vitit 1998 dhe janarit të viit 1999, të paktën 25 individë janë marrë nga anëtarët e UÇK-së dhe janë mbajtur në një stacion policor të selisë qendrore të UÇK-së, si dhe në lokacione të tjera afër Likocit në Skënderaj.

Sipas kësaj pike të vendimit të arrestuarit janë mbajtur të lidhur brenda dhomave më dritare të bllokuara nb këtë qendër ndalimi.

Tutje në vendim thuhet se të arrestuarit janë mbajtur nën mbikëqyrje nga anëtarët e UÇK-së nga disa orë deri në 40 ditë.

Pika 141 e këtij vendimi thotë se arrestimi dhe ndalimi i këtyre individëve nuk ishte arsyetuar as me rregullat e procedurës penale, as me bazën se do të rrezikohej siguria shoqërore.

Sipas kësaj pike të vendimit thuhet se veçanërisht 4 persona, identiteti i të cilëve në vendim është i redaktuar janë mbajtur për shkak të veprimtarisë së tyre, spiunazhit, miqësisë dhe bashkëveprimit me serbët.

Tutje në këtë pikë të vendimit thuhet se individët e arrestuar dhe të ndaluar nuk janë informuar nga anëtarët e UÇK-së, për arsyet e arrestimit, po ashtu atyre nuk u është dhënë asnjë dokument dhe mundësi për ta kundërshtuar ndalimin e tyre.

Ndërsa pika 142 e këtij vendimi flet për arrestimin dhe ndalimin arbitrar të 13 civilëve në Jabllanicë të Gjakovës.

Gjykatësi Guillo në këtë pikë të vendimit ka gjetur se ndërmjet prillit dhe fundit të korrikut të vitit 1998 në Jabllanicë janë arrestuar 13 individë nga anëtarët e UÇK-së.

Këta individë sipas vendimit janë mbajtur të lidhur në një kompleks kazerme në një shtëpi me 4 dhoma deri në 6 javë ditë.

Në bazë të materialit mbështetës të aktakuzës, gjykatësi Guillio ka gjetur se këta persona janë ndaluar pa u respektuar rregullat e procedurës penale dhe pa pasur bazë se nëse këta persona gjenden në liri do të rrezikohej siguria shoqërore.

Sipas vendimit të Speciales, veçanërisht 5 persona ishin ndaluar dhe mbajtur për shkak të aktiviteteve të spiunazhit dhe lidhjeve me serbët.

Në pikën e 145 të këtij vendimi thuhet se anëtarët e UÇK-së, nuk i kishin informuar individët për arsyet e arrestimit dhe ndalimit të tyre si dhe nuk u kishin dhënë asnjë dokument për mbajtjen e tyre.

Vendimin e plotë mund ta lexoni në versionin në gjuhën angleze duke klikuar në LINK