Nazmi Vërbovci, dëshmitari i shtatë i mbrojtjes në gjykimin ndaj Salih Mustafës

Dëshmitari Vërbovci tregon se ku dhe kur e kishte takuar Salih Mustafën

Nazmi Vërbovci dëshmitari i shtatë i mbrojtjes po dëshmon në gjykimin ndaj Salih Mustafës që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Hagës.

Salih Mustafa i njohur me nofkën “Komandant Cali” po akuzohet për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor të kryera në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Gjatë dëshmisë së tij Vërbovci pas shikimit të fotografisë që iu shfaq në ekran, ka sqaruar se Salih Mustafën e kishte takuar dy herë në prill të vitit 1999, kur ai kishte qëndruar në shtëpinë e tij në fshatin Barilevë.

“Salih Mustafa kur ka kalu i lodhur, natën ka pushu 2-3 orë dhe këtu e kam dërguar në këtë dhomë. Kjo dhomë ka qenë e popullit, pra kjo shtëpi ka qenë e popullit që nënkupton se babai im dhe unë ja kemi qelë derën çdo kujt”, ka rrëfyer dëshmitari.

Derisa është përgjigjur në pyetjet e avokatit Betim Shala, Vërbovci ka thënë se Salih Mustafa kishte pushuar dhe ishte ushqyer në shtëpinë e tij për disa orë dhe pastaj, nën shoqërimin e dy personave tjerë ishte larguar.

“Herën e parë kur ka ardhur ka pushu shumë pak, u përshëndet me Isuf Shalakun ka vazhduar ku ka shku se di, i ka pas punët e veta se di unë. Kur ka ardhur ai ka qenë vetë i treti”, tha Verbovci.

Sipas dëshmitarit, Mustafa derisa ishte larguar kishte të veshur uniformën e UÇK-së.

“Më kujtohet se ka qenë me uniformë dhe pa uniformë. Herën e parë që e kam pa ka pas të veshur uniformën që i kemi pas me lara. Kur u largua ai shkoi me të njëjtit persona”, tha ai.

Ndërkaq, sipas këtij dëshmitari herën e dytë Salih Mustafa kishte qëndruar diku 5-6 orë dhe ka shkuar për në Vranidoll.

“Kanë qenë të lodhur, kanë udhëtuar shumë në këmbë nëpër malet e zonës së Llapit, ka pushuar, ka pushuar 5-6 orë më së shumti, se nuk ka qëndruar më shumë, ndonjëherë është ushqyer dhe ka vazhduar në përcjellje të ushtarëve tonë, çdo herë në mbrëmje”, deklaroi Vërbovci.

Në vijim të gjykimit dëshmitari ka theksuar se ka qëndruar në fshatin e tij, Barilevë, gjatë gjithë periudhës së luftës dhe ka shtuar se së bashku me dhjetëra persona të tjerë ishin angazhuar në formimin e njësisë ushtarake.

Vërbovci ka bërë të ditur se shtëpia e familjes së tij ishte në shërbim të popullit dhe UÇK-së ku sipas tij kanë qëndruar dhe kaluar shumë persona.

“Në lagjen e Llumnicëve ka qenë njësiti në shtëpinë e Jusuf Llumnicës, të djemtë e Jusuf Llumnicës, Kemajl Lluminca ka qenë edhe ushtarë edhe i ka pasur në shtëpi. Kurse në lagjen e Vërbovcve, në shtëpinë e Shaban Vërbovcit, baba im, që e falënderoj shumë. Kam pasur përkrahjen e tij dhe të axhës dhe gjithë familjarëve, djemtë e xhaxhallarëve që kanë qenë vullnetarë të gjithë, pro në mungesë të armatimit nuk kanë mundur të gjithë me shku”, ka sqaruar Vërbovci.

Tutje, dëshmitari është pyetur edhe rreth njësisë BIA, ekzistencën e së cilës ka thënë se e ka mësuar vetëm pas përfundimit të luftës.

Sali Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga Policia e EULEX-it dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet nën masën e paraburgimit.

Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga zyra e prokurorit të specializuar.

Ish komandant “Cali” akuzohet për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Sipas aktakuzës në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Sipas prokurorisë ai bashkë me pjesëtaret e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe  dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij Sali Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK