Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe veprimtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Gani Sopi

Dëshmitari Sopi: Në luftë Salih Mustafa ka ndihmuar popullatën civile

 

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe veprimtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Gani Sopi po dëshmon në gjykimin ndaj Salih Mustafës i cili po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Hagës.

Sali Mustafa i njohur me nofkën ”Komandant Cali” nga Prokuroria Speciale po akuzohet për krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Në seancën e së hënës, dëshmitar i pestë i mbrojtjes Gani Sopi ka deklaruar se Salih Mustafa gjatë kohës së luftës kishte ndihmuar popullatën civile.

“Nga lagjja ku kemi jetuar diku mbi 10 mijë vetë, përfshirë këtu fëmijë, gra pleq e të sëmurë i kemi nxjerr nga Prishtina bashkë me shokët dhe veprimtarët e LDK-së që na kanë ndihmuar t’i largojmë. Më së shumti ka ndihmuar Salih Mustafa i cili më ka thënë t’i ndihmojmë popullatës me ushqim, strehim, barna e gjëra të tjera”, ka thënë Sopi.

Sipas tij, kontributi i Salih Mustafës ka qenë më herët se data 24 mars, diku nga janari i vitit 1999, ku Mustafa në atë kohë në cilësinë e vullnetarit dhe veprimtarit ka ndihmuar shumë.

Sopi tutje ka rrëfyer se pas shpërnguljes, popullata ishte e vendosur kryesisht në fshatin Butovc të Prishtinës.

“Në Butovc kryesisht popullata ka zbrit në qytet, në ato lagje ku i kemi pasur shtëpitë i kemi vendosur ndërkaq, disa në stalla të bagëtisë se s’kemi pas kushte, e disa janë vendosur në hangarë si i themi ne. Por, pjesa më e madhe jemi vendosur në Butovc dhe një pjesë në Mramor. Unë me krejt familjen kemi qenë në Butovc”, ka thënë dëshmitari.

Derisa ka folur për shpërnguljen e popullatës, dëshmitari Sopi  ka pohuar se aty e kishte takuar të akuzuarin Salih Mustafa.

“Muaji prill është bukur i rëndë për mua, por edhe gjithë shqiptarët dhe të gjithë në atë zonë të Gollakut. Është e vërtetë që e kam takuar në fillim të prillit, në javët e para të prillit Salih Mustafën në Butovc. Jemi pa, jemi taku, por ky ka qenë kontakt me profën, i cili ka koordinu. Kam nejt edhe unë vet, kemi bisedu rreth situatën dhe ngjarjes që ka qenë brenda edhe me situatën civile”, ka sqaruar ai.

Dëshmitari arsyetoi se në atë periudhë, Salih Mustafa gjatë pjesës më të madhe ka qenë i veshur me rroba civile, armatim të lehtë, por ai kishte qenë i maskuar për të mos rënë në sy të popullatës civile.

Para trupit gjykues, dëshmitari Sopi ka thënë se në Butovc dhe në regjionin e Gollakut kishte ndodhur një ofensivë nga serbët.

“Muaji prill tregova që ka qenë më i rëndi në jetën time, për shkak të ndodhive që i përshkrova, por ka pas edhe raste ku civilët kanë pësu keq, për shembull Llukarin, Makovcin, ku popullata civile ka ra në dorën e tyne (forcave serbe), e aty ka ndodh masakër, gjenocid”, tha ai.

Gjatë sesionit të parë, dëshmitari Gani Sopi i është përgjigjur pyetjeve të parashtruara nga Betim Shala, mbrojtës i të akuzuarit Salih Mustafa.

Sali Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga Policia e EULEX-it dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet nën masën e paraburgimit.

Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga zyra e prokurorit të specializuar.

Ish komandant “Cali” akuzohet se për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Sipas aktakuzës në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Sipas prokurorisë ai bashkë me pjesëtaret e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe  dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij Sali Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës mund t`i lexoni duke klikuar në LINK