Dëshmitari i njëmbëdhjetë Musli Halimi duke dëshmuar në gjykimin ndaj Salih Mustafës që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Hagës - 20.04.2022

Dëshmitari Halimi: Kam dëgjuar për ‘Calin’ por nuk e kam njohur

Musli Halimi në gjykimin ndaj Salih Mustafës ka deklaruar se gjatë luftës kishte dëgjuar për emrin “Cali” por ka mohuar të ketë pasur ndonjë kontakt me të.

Salih Mustafa i njohur me nofkën Komandant “Cali” nga Prokuroria Speciale po akuzohet për krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Sipas prokurorisë ai bashkë me pjesëtarët e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

“Calin nuk e kam njohur më përpara, por gjatë luftës e kam ditur pseudonim Cali, por nuk kam pasur kontakte me të sepse vija komanduese ka qenë e ndarë por kam dëgjuar. Kam qenë komandant i qendrës stërvitore dhe i kam dhënë llogari “Brigadës 153””, ka thënë Halimi.

Dëshmitari i njëmbëdhjetë i mbrojtjes, Musli Halimi të njëjtën konfirmoi edhe për njësinë BIA, qëndrimin e së cilës mohoi ta ketë ditur.

“Kam dëgjuar, por nuk kam pasur kontakt dhe nuk e di ku kanë qëndruar, por kam dëgjuar që ka pasur një njësit me emërtimin BIA”, ka thënë dëshmitari.

Ai më tej ka treguar për aktivitetin e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për çka ka theksuar se ka qenë komandat i qendrës stërvitore në Zllash.

Musli Halimi ka thënë se qendra stërvitore të cilën e drejtonte e ka zhvilluar aktivitetin në një objekt shkolle në Zllash.

“Ora e parë ka qenë prezantimi i tyre shpjegimi i rregullave të qendrës stërvitore, mandej ka filluar orari i cili ka qenë i përcaktuar. Ne gjithmonë iu kemi përmbajtur orarit. E kam pasur orën unë apo një koleg tjetër, po zakonisht dita e parë ka qenë me mua, jemi marrë me përgatitje fizike dhe disa tema taktike ushtarake, gjërat elementare”, ka deklaruar ai.

Një pjesë e këtij gjykimi është zhvilluar në seancë private, ku avokati Julius Von Bone, ka parashtruar pyetje për dëshmitarin.

Me përfundimin e marrjes në pyetje nga ana e mbrojtjes, Halimit pritet t’i parashtrohen  pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Salih Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga Policia e EULEX-it dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet nën masën e paraburgimit.

Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga Zyra e prokurorit të specializuar.

Ish komandant “Cali” akuzohet për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Sipas aktakuzës në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Sipas prokurorisë ai bashkë me pjesëtaret e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij Salih Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.

Të gjitha raportimet e Kallxo.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK