Dëshmitari Gani Sopi: Kam qenë anëtar i BIA-s, këtë e kemi kuptuar pas lufte
Dëshmitari Gani Sopi gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara të Hagës ka pohuar se ka qenë anëtar i njësisë BIA.
Sali Mustafa i njohur me nofkën ”Komandant Cali” nga Prokuroria Speciale po akuzohet për krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave në kompleksin e ndalimit në Zllash.
“Në atë kohë nuk kam pas informacione, ma vonë e kam kuptuar që kam qenë, bile Guerila është quajt BIA, kam qenë pjesë e saj. Ky emër ka rrjedhur nga tre heronj, Bahriu, Iliri dhe Agroni”, tha dëshmitari.
Ai sqaroi se kyçja e tij ka qenë nga fillimi i vitit ’98, e megjithatë për këtë ishte informuar në maj të vitit 1999.
“Një pjesë të madhe të familjes e kam pas në luftë që edhe me ta kam mujt me pas njësit. Se di çka prish punë ajo nëse kam qenë. Kam qenë i plagosur dhe nuk kam pasur mundësi të merrem me secilin detaj”, shpjegoi dëshmitari për trupin gjykues.
Derisa ka folur për njësinë Guerila-BIA, ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka shtuar se si përgjegjës i kësaj njësie fillimisht ka qenë vëllai i tij Mustafë Sopi, ndërsa komandant Salih Mustafa.
“Përgjegjësi ka qenë Mustafë Sopi, vëllai im. Për fazën që po flasim, e di që përgjegjës e kemi pasur Mustafë Sopin. Për ma vonë, e kam kuptu që ka qenë komandant Salih Mustafa”, tha dëshmitari.
Sopi gjatë deklarimit të tij në Gjykatën e Hagës i ka thënë trupit gjykues se Salih Mustafa është mik e bashkëluftëtar i tij dhe ka shtuar se me të ka edhe lidhje familjare, pasi mbesa e tij është bashkëshortja e Mustafës.
Sopi ka bërë të ditur se aktivitetin politik e ka filluar në vitet e ’90-a si një prej themeluesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sali Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga Policia e EULEX-it dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet nën masën e paraburgimit.
Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga zyra e prokurorit të specializuar.
Ish komandant “Cali” akuzohet se për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.
Sipas aktakuzës në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.
Sipas prokurorisë ai bashkë me pjesëtaret e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.
Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.
Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.
Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij Sali Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.
Dëshmitari Sopi: Në luftë Salih Mustafa ka ndihmuar popullatën civile
Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës mund t`i lexoni duke klikuar në LINK