Caktohet kryetarja e trupit gjykues në rastin e komandant “Calit”

Gjyqtarja Mappie Veldt-Foglia, është zgjedhur kryetare e trupit gjykues në rastin e Salih Mustafës, njofton Gjykata Speciale.

Ndërsa më datën 6 maj, është caktuar trupi gjykues në rastin e Mustafës, i njohur si ish komandant “Cali”.

Salih Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet në paraburgim në Hagë.

Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ish-komandant “Cali” akuzohet për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Sipas aktakuzës, në prill të vitit 1999, Mustafa së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me roje, ndër të tjera në një stallë të kyçur.

Aktakuza e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar gjatë luftës.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij, Salih Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.

Këta janë gjykatësit që do ta gjykojnë Salih Mustafën