Avokati Salih Mustafës: Sulmi ndaj familjes Jashari nxiti rezistencën për pavarësi të Kosovës

Gjatë dhënies së deklaratës hyrëse, avokati i Salih Mutafës, Julius von Bone, ka thënë se sulmi ndaj familjes Jashari dhe vrasja e Adem Jasharit ka krijuar rezistencën për pavarësi.

Gjatë pjesës së parë, avokati Julius von Bone ka folur mbi çështjen e luftës së UÇK-së dhe krimet e kryera nga Serbia.

Sipas avokatit, vrasja e 59 anëtarëve të familjes Jashari përbënte një prej krimeve të shumta që forcat serbe i kanë kryer.

“Adem Jashari konsiderohet si komandat legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kur forcat serbe sulmuan kompleksin e familjes Jashari menduan se me vrasjen e të gjithë familjes Jashari populli kosovar të ketë marrë goditje përfundimtare. Vrasje e 59 anëtarëve të kësaj familje përfshirë këtu edhe fëmijë 7 vjeç përbën një prej krimeve më të këqija të regjimit serbë në Kosovë”.

Mirëpo, sipas Julius von Bone sulmi brutal hasi në një mbështetje të gjerë të popullatës së Kosovës e cila pasoi edhe me ndërhyrjen e NATO-s.

Gjatë dhënies së fjalës hyrëse, avokati tutje ka vazhduar të deklarohet edhe për momentin e dëbimit të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre.

“Nga data 24 mars deri më 2 prill 1999, mbi 177 mijë e 500 shqiptarë të Kosovës kanë mbërritur në Shqipëri dhe më 2 prill 1999, 130 mijë shqiptarë të Kosovës kanë mbërritur në Maqedoni dhe Shqipëri”, ka thënë Bone.

Tutje avokati para Dhomave të Specializuara të Hagës ka vazhduar t’i paraqesë edhe disa video-incizime të cilat nuk ishin publike.

Sali Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga Policia e EULEX-it dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet nën masën e paraburgimit.

Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga zyra e prokurorit të specializuar.

Ish komandant “Cali” akuzohet se për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Sipas aktakuzës në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Sipas prokurorisë ai bashkë me pjesëtaret e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij Sali Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK