Gjykata Speciale në Hagë - Foto: REL/EPA-EFE

Gjykata Speciale vitin 2021 e përmbyll me 4 procese penale

 

Gjykata Speciale është  institucion kosovar në Hagë me përbërje ndërkombëtare themelimi i të cilit ngjalli reagime të shumta në shoqërinë kosovare, u themelua në vitin 2015 por punën filloi ta ushtrojë në vitin 2020.

Kjo gjykatë filloi të gjykojë proceset penale ndaj personave të cilët vet e kishin votuar themelimin e kësaj gjykate në Kuvendin e Kosovës.

Ndonëse Gjykata Speciale në Hagë u themelua për vënien në vend të drejtësisë për krimet që pretendohet se kanë ndodhur në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Në këtë gjykatë të akuzuar janë vetëm persona të nacionalitet shqiptarë të cilët në kohën e luftës ishin pjesëtarë të UÇK-së.

Pas bujës së madhe me bastisjen e shtëpisë dhe arrestimin e Jakup Krasniqit, zgjiri i dërgimit në Hagë u pasua  me  Rexhep Selimin, Kadri Veselin, Hashim Thaçin,

Deri tani para gjykatës speciale janë 8 persona të akuzuar dhe 4 procese penale ndaj Salih Mustafës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit, Pjetër Shalës, Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit.

Një proces penal është duke u zhvilluar ndaj Salih Mustafës i cili gjendet në fazën e shqyrtimit të provave më saktësisht marrjen në pyetje të dëshmitarëve.

Mustafa po gjykohet për akuzat e Zyrës së Prokurorisë për privim të kundërligjshëm nga liria të personave, torturë, trajtim çnjerëzor dhe vrasje.

Mustafa i njohur gjatë luftës si komandant Cali kishte mohuar këto akuza duke u deklaruar ia pafajshëm gjatë gjithë procesit kundër tij.

Ndaj Mustafës janë mbajtur deri më tani 25 seanca gjyqësore ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë të mbrojtur të cilët kanë deklaruar pothuajse në seanca private.

Sipas kalendarit të punës së Dhomave të Specializuara gjykimi i Mustafës do të fillojë më 18 janar 2022 dhe do të vazhdojë me dëgjimin e 3 dëshmitarëve të tjerë.

Për mbrojtjen e Salih Mustafës para Dhomave të Specializuara janë paguar 825 mijë e 822 euro e 14 centë nga buxheti i Kosovës.

Procesi i dytë është ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt të cilët po akuzohen për pengim të procedurës penale para Dhomave të Specializuara, gjykim ky të cilit i është afruar fundi.

Gucati e Haradinaj, po gjykohen për shkak të publikimit të materialeve të cilat u dërguan në zyrat e OVL-UÇK-së të cilat materiale përmbanin të dhëna konfidenciale në mes ZPS-se dhe autoriteteve serbe për hetimin dhe ndjekjen e personave shqiptarë ndër ta edhe figura të larta kombëtare si Adem Jashari për akuza lidhur me terrorizëm.

Aktakuza kundër dy të akuzuarve u konfirmua më 11 dhjetor 2020 dhe u bë publike më 14 dhjetor 2020.

Deri më tani në këtë proces penal janë mbajtur 27 seanca gjyqësore të udhëhequra nga kryetari i trupit gjykues Çarls Smith III, ku janë dëgjuar 6 dëshmitarë.

Procesi penal ndaj Gucatit dhe Haradinajt është në përfundim pasi që Nasim Haradinaj pritet të japë deklaratën para trupit gjykues më 11 janar 2022.

Mbrojtja e Nasim Haradinajt për avokatin Bat Martens për dy muajt, tetor e nëntor të vitit 2020 i ka kushtuar Kosovës 33 mijë e 648 euro e 13 centë, ndërsa për avokatin Toby Cadman prej dhjetorit 2020 e deri në nëntor 2021 ka kushtuar 872 mijë e 315 euro e 83 centë.

Mbrojtësi i Hysni Gucatit, Jonathan Rees, nga muaji tetor  2020 deri në nëntor 2021 është paguar 1 milion e 53 mijë e 750 euro.

Ndërsa  procesi penal ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit gjendet ende ne fazën paraprake.

Pas arrestimit të tyre nga Prokurori i Specializuar, Thaçi, Veseli, Selimi and Krasniqi u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, më 4 dhe 5 nëntor 2020.

Seancat e paraqitjes së parë të Thaçit dhe Krasniqit u mbajtën më 9 nëntor 2020 para Gjykatësit të Procedurës Paraprake, Nikola Giju. Gjatë këtyre seancave, ata u vetëdeklaruan të pafajshëm në lidhje me gjitha pikat e aktakuzës.

Deri tani në këtë proces penal janë mbajtur 12 seanca të udhëhequra nga gjyqtari i procedurës paraprake Nikola Giju.

Për mbrojtjen e Hashim Thaçit në Hagë deri tani janë paguar 1 milion e 24 mijë e 301 euro, nga buxheti i Kosovës, për Kadri Veselin janë paguar 759 mijë e 724 euro e 91 centë, për Rexhep Selimin janë paguar 1 milion e 88 mijë e 700 euro ndërsa për Jakup Krasniqin janë paguar 1 milion e 156  mijë e 250 euro.

Po ashtu në fazën paraprake gjendet edhe procesi penal ndaj Pjetër Shalës i akuzuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për krime lufte.

Shala u arrestua më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 15 prill 2021.

Më 19 prill 2021, Shala pati paraqitjen e tij të parë para gjykatësit të procedurës paraprake dhe u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Më 15 dhjetor 2021, gjykatësi i procedurës paraprake miratoi kërkesën e një individi për t’u pranuar si viktimë pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Aktakuza kundër Shalës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i redaktuar u bë publik më 15 prill 2021.

ZPS-ja e dorëzoi aktakuzën e korrigjuar ndaj Shalës  më 1 nëntor 2021.

Sipas akuzës së korrigjuar krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej UÇK-së. Sipas aktakuzës, viktimat e këtyre krimeve ishin të gjithë shtetas të RFJ-së dhe persona të cilët nuk merrnin pjesë aktivisht në luftime.

Ndaj Shalës deri tani janë mbajtur 5 seanca gjyqësore të udhëhequra nga gjykatësi   procedurës paraprake Nikola Giju.

Deri tani për mbrojtjen e Pejtër Shalës para gjykatës në Hagë janë paguar 65 mijë euor nga buxheti I Kosovës.