Gjykata Speciale refuzon kërkesën e mbrojtjes për paraqitje të mëtejshme fillestare dhe mocione paraprake për Rexhep Selimin

Trupi gjykues i kryesuar nga Charles L. Smith II ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për caktimin e paraqitjes së mëtejmë fillestare, të drejtën për paraqitje të mocioneve paraprake dhe pezullimin e urdhërit për të përditësuar njoftimet në alibi në mbrojtje të Rexhep Selimit.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi  po akuzohen me gjashtë aktakuza për krmie kundër njerëzimit si: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torture, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave. Dhe me katër aktakuza për krime lufte si: arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Deri më tani, Gjykata ka refuzuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri të ish-krerëve të UÇK-së.

Me anë të këtij vendimi gjykata ka refuzuar në tërësi kërkesën e Selimit dhe nuk autorizon as mbrojtjen e tij dhe as ndonjë ekip tjetër të mbrojtjes që të paraqesë mocione të reja paraprake në lidhje me pretendimet e paredaktuara.

Megjithatë, trupi gjykues ka udhëzuar mbrojtjen që të sigurojë të akuzuarit të jenë të informuar për të drejtat e tyre në lidhje me pretendimet e paredaktuara në mënyrë që t’iu mundësojë atyre të vendosin nëse do të ndryshojnë deklarimin e tyre të pafajësisë.

Kjo mundësi do t’u ofrohet të akuzuarve në përputhje me Rregullën 124 (3).

“Dhe informon të akuzuarin se, në përputhje me Rregullën 124 (3), atyre do t’u ofrohet mundësia për të ndryshuar deklarimin e tyre të pafajësisë (të dhënë në emër të tyre nga gjyqtari i procedurës paraprake, sipas rastit) në lidhje me të pretendimeve të paredaktuara në hapjen e çështjes”- sqarohet  në vendim.

Më 29 prill të vitit të kaluar, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje.

Si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen.

Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.