Zhan-Lui Zhilisien: 23 muaj për dorëzimin e dosjes nga ngritja e aktakuzës kundër Pjetër Shalës, një kohë shumë e gjatë

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) sot kërkoi nga gjykata që të zgjasë afatin për dorëzimin e dosjes paraprake deri më 28 janar 2022 ndonëse, tha  kanë kaluar 23 muaj nga ngritja e aktakuzës.

Avokati Zhan-Lui Zhilisien, mbrojtës të akuzuarit Shala deklaroi se “dorëzimi pas 23 muajsh i dosjes paraprake që nga ngritja e aktakuzës, është një kohë shumë e gjatë për Shalën” i cili është në paraburgim por nuk e kundërshtoi ZPS-në për zgjatjen e afatit.

Lidhur me këtë kërkesë të ZPS, gjykatësi Giju dha urdhër verbal që dosja paraprake të dorëzohet deri më 28 janar 2022 si dhe tabela lidhur me këtë dosje të dorëzohet jo më vonë se 9 shkurt 2020.

Avokati Zhan-Lui Zhilisen, mbrojtës i të akuzuarit Shala, në seancën e sotme identifikoi disa probleme me përkthimin e deklaratave të disa dëshmitarëve si dhe marrjen e dy akt-ekspertizave kriminalistike deri më 8 tetor.

Incizimit audio-videove të të intervistave, u mungon përkthimi në disa pjesë të intervistave.

Gjykatësi Giju, dha urdhër verbal për ZPS që të nxjerrë deri më 8 tetor 2021 dy akt-ekspertizat kriminalistike.

Giju lidhur me materialin shtesë të sjellë i tha ZPS-së se “nuk mund të sillni materiale shtesë kur të dëshironi ju, sepse palës mbrojtëse i bëhet e vështirë të mbrohet dhe do të kërkojë kohë shtesë për t’u përgatitur”.

Ai tha se “nëse sillni prapë material shtesë do të ju duhet të arsyetoni pse këto materiale nuk janë sjellë më herët”.

Materiali, nga rregulla 103, i është dhënë mbrojtës në 2 paketa nga ZPS. Kërkesë për masa mbrojtëse nuk pati nga ZPS-ja.

 

Pjetër Shala, nuk dëshiron të jetë i pranishëm gjatë gjykimit në Gjykatën Speciale

(23.09.2021 10:50)

Pjetër Shala ish komandant “Ujku”, ka hequr dorë që të jetë i pranishëm në Gjykatën Speciale dhe seancën e përcjell me videolink!

Ndaj ish-eprorit të UÇK-së, Pjetër Shala po mbahet konferenca për ecurinë e çështjes në Dhomat e Specializuara në Hagë.

(Autore – Erolinda Uka)

 

Gjykata Speciale nesër mban konferencën ndaj komandant ‘Ujkut’

(22.09.2021 16:18)

Gjykata Speciale nesër mban konferencën ndaj Pjetër Shalës-komandant “Ujkut”

Ndaj ish-eprorit të UÇK-së, Pjetër Shala nesër do të mbahet konferenca për ecurinë e çështjes në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Konferenca do të fillojë në ora 9:30.

Shala po akuzohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për veprat penale ndalim arbitrat, torturë, trajtim mizor dhe vrasje në kohë të luftës.

Çështja penale ndaj Shalës është në fazën paraprake të cilën e udhëheq gjykatësi Nikola Giju.

Shala po mbrohet nga avokatët Zhan-Lui Zhilisen dhe Muhamed Hedi Auini.

Seanca e parë ndaj Shalës  u mbajt më 19 prill 2021 në të cilën u deklarua i pafajshëm.

Shala ishte arrestuar më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe ishte transferuar në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar më 12 qershor 2020e të  redaktuar më 15 prill 2021, prokuroria pretendon se Shala kishte kryer krime të luftës, në fabrikën e metalit në Kukës së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.

Pjetër Shala së bashku me persona të tjerë, si Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi, dyshohet se kishin dërguar në qeli persona të ndryshëm në mënyrë të kundërligjshme duke i prangosur.

Shala akuzohet se i kishte keqtrajtuar të ndalurit në këtë qeli dhe i kishte rrahur me mjete të ndryshme.

Sipas prokurorisë personat që ishin ndaluar në këtë zonë, i nënshtroheshin çdo ditë rrahjeve me mjete të ndryshme si shufra metali, armë, shkopinj dhe thika.

ty përshkruhen pretendimet se Pjetër Shala, Sabit Geci dhe Xhemshit Krasniqi kishin marrë në pyetje dhe rrahur një person me shufër metalike, shkop bejsbolli dhe armë.

Madje në aktakuzë thuhet se të ndaluarit ishin rrahur mizorisht edhe pse ishin të plagosur me armë dhe njëri nga ta pasi nuk kishte pasur ndihmë mjekësore kishte ndërruar jetë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar pos të tjerash pretendon se si pasojë e keqtrajtimit të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës, shumë viktima humbën vetëdijen, pësuan thyerje eshtrash dhe u mbuluan me gjak.

Sipas prokurorit të specializuar, Shala ngarkohet me akuza për vrasje të paligjshme, torturë, ndalim arbitrar dhe trajtim mizor.

(Autore – Erolinda Uka)