Gjykata Speciale ia vazhdon paraburgimin Hashim Thaçit

Gjyqtari i procedurës paraprake të Gjykatës Speciale, Nikola Giju, e ka vazhduar masën e paraburgimit ndaj Hashim Thaçit.

“Të martën, më 25 janar, Gjykatësi i Procedurës Paraprake e dorëzoi versionin e redaktuar publik të vendimit me të cilin urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të z. Thaҫi”,  thuhet në përgjigjen nga zyra për informim e Dhomave të Specializuara.

Masa e paraburgimit ndaj Hashim Thaçit është vazhduar për shkak të rrezikut të kryerjes së veprave penale.

“Gjykatësi i Procedurës Paraprake konstatoi se rreziku që i akuzuari të pengojë procesin gjyqësor apo të kryejë krime të tjera mund të zvogëlohet mjaftueshëm vetëm nëpërmjet rregullave për monitorimin e komunikimeve që zbatohen në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara”, thuhet tutje në përgjigje.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS-ja) ka ngritur aktakuzë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Kransiqit. Ata po akuzohen se si drejtues të UÇK-së, gjatë luftës në Kosovë kanë kryer krime kundër njerëzimit.

Aktakuza pretendon se ndërmjet marsit 1998 dhe shtatorit 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, duke arrestuar dhe ndaluar persona civilë në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.

Për këto akuza ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen në paraburgim nga nëntori i vitit 2020.