Gjykata Speciale cakton trupin gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët, dosja gati për transferim më 15 dhjetor

Gjykata Speciale në Hagë ka caktuar trupin gjykues që do të gjykojë rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të  akuzaur për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Kjo është bërë e ditur nga kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.

Trupi gjykues që do ta trajtojë rastin e ish-krerëve të UÇK-së do të përbëhet nga gjyqtarët Charles Smith III , Christoph Barthe, Guénaël Mettraux dhe Fergal Gaynor, gjyqtar rezervë.

Ndryshe, ky trup gjykues ka pasur në trajtim rastin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, të dënuar me burgim.

Çështja Thaçi dhe të  tjerët do të jetë gati për t’u transferuar te trupi gjykues më 15 dhjetor 2022.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Deri më tani, Gjykata ka refuzuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri të ish-krerëve të UÇK-së.

Ata  po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit si përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore, torturë, zhdukje dhe vrasje, si dhe me 4 pika për krime lufte si arrestim, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.