Gjykata sot pritet të vendos për akuzat ndaj ministres Hajdari

Në gjykatën e Prishtinës sot pritet që të vendoset lidhur me rastin e ministres së Tregtisë dhe Industrisë Rozeta Hajdari, e cila po akuzohet për mos deklarim të pasurisë.

Prokuroria e shtetit në muajin tetor të këtij viti kishte ngritur aktakuzë ndaj ministres Hajdari.

Ministrja  ishte deklaruar në Kuvendin e Kosovës në lidhje me ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria e Shtetit për mos deklarim të pasurisë.

Ministrja kishte thënë se e merr përsipër përgjegjësinë e vonesës në deklarim.

“Më vjen mirë që ekziston një ligj. E marr përsipër përgjegjësinë e vonesës në deklarim dhe më vjen mirë që nuk ngritet një akuzë për mua për vjedhje, për shpifje, për shfrytëzim të parasë publike, për votat parlamentare të juaj, për zgjedhjet e të gjitha të tjerat”- kishte thënë Hajdari.

Ministria Hajdari në seancën e mbajtur dje kishte pranuar fajësinë për veprën që i vihej në barrë.

Hajdari, kishte deklaruar se është këshilluar gabueshëm, që mundet të deklarojë pasurinë në fund të mandatit të ministrit.

“Unë duhet të ndihem në faj, meqë ka ndodhur një konfuzion, për shkak të pandemisë Covid-19, atëherë, është shtyrë afati ligjor, unë jam këshilluar që mundem të deklaroj pasurinë në fund të mandatit, kështu personalisht, fizikisht, kam shkuar vet në fund të mandatit” – kishte thënë vet Ministrja Hajdari në Gjykatë.

Avokati mbrojtës i ministres Hajdari, në fillim të gjykimit kishte kërkuar që ky rast të kalojë në ndërmjetësim.

Këtë propozim e kishte kundërshtuar prokurori i rastit Bekim Kodraliu, meqë sipas tij nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për të kaluar në këtë procedurë.

“Konsideroj se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për kalim në ndërmjetësim pasi që rasti në fjalë, si vepër është në kapitullin e veprave penale të korrupsionit” – tha prokurori.

Mbrojtja e kishte kundërshtuar këtë pretendim të prokurorisë, duke u thirrur në ligjin për ndërmjetësim duke thënë se lejohet dhe i kërkoi gjykatës që ta aprovojë këtë kërkesë.

Gjyqtarja e rastit, Donika Shala propozimin e mbrojtjes e kishte refuzuar që të referojë rastin në procedura të ndërmjetësimit.

Prokuroria e akuzon Rozeta Hajdarin se në cilësinë e ministres së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Qeverinë e Republikës së Kosovës, nuk  e ka respektuar ligjin dhe ka kryer veprën penale mos raportim të pasurisë ose raportim i rremë i pasurisë

Prokuroria pretendon se edhe pse ministrja ishte e njoftuar me kohë për detyrimin e deklarimit të pasurisë me rastin e marrjes së detyrës si Ministre, e edhe pas shtyrjes së afatit nga Agjencia Kundër Korrupsionit AKK për shkak të pandemisë, e njëjta përsëri nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë.