Gjykimi ndaj ish policit Vllaznim Hamdia, i akuzuar për vrasje
Gjykata sot merr vendim për ish policin Vllaznim Hamdia, i akuzuar për vrasje të rëndë
Vllaznim Hamdia i cili akuzohet se e ka vrarë Lulzim Spahiun, sot pritet të marrë verdiktin gjyqësor nga Gjykata e Gjilanit.
Në seancën e fundit, prokurori Isuf Sadiku dhe mbrojtja e familjes së dëmtuar, avokatja Vlora Kadriu, kanë kërkuar dënimin maksimal ndaj të akuzuarit.
Kurse avokati mbrojtës Ymer Huruglica ka kërkuar që ndaj të akuzuarit Hamdia të bëhet rikualifikimi i veprës penale në dy mundësi, tejkalimi i mbrojtjes së nevojshme – apo vrasje në gjendje të tronditjes së rëndë̈ mendore. Gjithashtu kishte kërkuar vërtetimin e elementit dashjes së veprës penale.
Shpallja e vendimit për këtë rast do të bëhet sot nga ora 13:15 në Gjykatën Themelore të Gjilanit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Gjilanit i akuzuari Vllaznim Hamdia, më 29 dhjetor 2019, rreth orës 04:50 minuta, në rrugën ‘’NATO 99’’, në Gjilan, ka privuar nga jeta të ndjerin Lulzim Spahiu.
Ngjarja sipas Prokurorisë, kishte ndodhur derisa i akuzuari ishte duke lëvizur me veturën e tij, shkakton aksident trafiku me kamionin të cilin ishte duke e drejtuar i ndjeri Spahiu.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se pas aksidentit, i akuzuari del nga vetura dhe pas kacafytjes, kërcënimeve dhe sharjeve mes tij, viktimës dhe djalit të viktimës, i akuzuari e nxjerrë armën e zjarrit dhe pasi viktima hyn në kamion, i njëjti ofrohet te dera e kamionit dhe me armë gjuan një herë në drejtim të tij, me ç’rast e godet nën vetullën e syrit të djathtë. I njëjti (viktima) për shkak të plagëve të marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes.
Me këto veprime, i akuzuari Vllaznim Hamdia akuzohet se ka kryer vrasja të rëndë.
Sipas Prokurorisë së Gjilanit, i njëjti dyshohet edhe për dy vepra penale: Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi i janë gjetur edhe dy revole të tjera dhe fishekë të llojeve të ndryshme.
Vllaznim Hamdia akuzohet edhe për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, pasi para rastit të ndodhur, derisa ishte duke dëgjuar muzikë në një lokal në fshatin Malishevë, në brendësi të lokalit kishte shkrepur me armë zjarri.
Gjilan – Merr fund gjykimi ndaj ish policit, i akuzuar për vrasje të rëndë