Ilustrim

Gjykata: Rrugëtimi i veturës me 31 kg marihuanë nga Shqipëria në Gjakovë

Gjykata e Gjakovës, pas kërkesës së Prokurorisë i ka caktuar paraburgimin prej një muaji dy të dyshuarve për blerje dhe shitje të narkotikëve.

Në njoftimin e Gjykatës është shpjeguar edhe rruga që kanë bërë të dyshuarit për blerje dhe posedim të narkotikëve nga Shqipëria për në Kosovë me 31 kilogramë marihuanë.

Sipas njoftimit të gjykatës, të pandehurit dyshohen se më 21 gusht 2019, pa autorizim kanë importuar substancë narkotike e llojit “marihuanë” nga Republika e Shqipëria për në Republikën e Kosovës.

Gjykata thotë se i pandehuri e kishte kaluar pikën kufitare me 31 kilogramë marihuanë në veturë. Pasi e kishte lënë veturën me 31 kilogramë marihuanë në parking, i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë tjetër.

“I pandehuri A.M. (1) pasi kalon pikën kufitare “Qafë Morinë” në Gjakovë, e parkon veturën … tek parkingu i qendrës tregtare “ETC” në Gjakovë”, thuhet në njoftimin e Gjakovës. “Më pas me të pandehurin A. M. (2) me veturën (tjetër)… së bashku vazhdojnë rrugën në drejtim të qendrës tregtare “Landi Star” ku ndalohen për kontrolle nga njësia antidrogë”, vazhdon tutje sqarimi i Gjykatës.

Gjykata thotë se Policia kishte informata paraprake për posedimin e substancës të dyshuar për narkotikë.

“Meqenëse i pandehuri A. M. (1) e kishte të parkuar automjetin tek “ETC”, për të cilin kohë më parë kishte informacione se posedonte substancë të dyshuar për narkotikë, njësiti antidrogë, së bashku me të dyshuarit kanë shkuar tek vetura e parkuar pranë “ETC-s” dhe gjatë kontrollit, në pjesën e pasme (bagazh), janë gjetur katër thasë me substancë në formë bari e dyshuar për “marihuanë”, me peshë prej tridhjete e një kilogram e njëqind e dy gram”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjykata ka njoftuar se shtetas të Republikës së Shqipërisë dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”. Ata do të mbahen në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaj, i cili do të llogaritet nga data 21 gusht 2019 dhe do të zgjasë deri më 20 shtator 2019.

Gjyqtari i procedurës paraprake Gëzim Pozhegu, ka aprovuar kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarve A.M. (1) dhe A.M. (2).