Gjykata ripërsërit urdhërarrestin ndaj Zvonko Veselinoviqit

Gjykata e Prishtinës ka lëshuar urdhërarrest për Zvonko Veselinoviqin, i cili po dyshohet për vepër penale pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar, vepër penale të vrasjes së rëndë, vepër të rrezikim të personelit të Kombeve të Bashkuara dhe personelit në marrëdhënieve me to dhe për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Me rastin e arrestimit të tij, ai do të dërgohet në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Ky urdhërarrest do të ekzekutohet nga Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda.

Kallxo.com ka raportuar për Veselenoviqin.

Zvonko Veselenoviq, serb nga Kosova, është vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Departamenti e ka cilësuar Veselinoviqin udhëheqës të grupit të krimit të organizuar si dhe një nga figurat më të korruptuara dhe famëkeqe të Kosovës.

Vite më parë, ish- komandanti i KFOR-it Erhard Drews, kishte thënë se Zvonko Veselinoviq kishte qenë organizatori i shumë trazirave në veri.

Veselinoviq, sipas Departamentit të Thesarit të ShBA-së, është e angazhuar edhe në dhënie ryshfeti me zyrtarë të sigurisë kosovare dhe serbe në mënyrë që të lehtësohej kontrabanda mes Kosovës dhe Serbisë.

Në vitin 2019, Gjykata në Prishtinë kishte lëshuar një urdhër- arrest ndërkombëtar ndaj Veselinoviq nën dyshimin se pati gisht në ngjarjen e 25 korrikut të vitit 2011, ku mbeti i vrarë pjesëtari i njësitit special të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi.

Veselinoviq është përmendur edhe në rastin e vrasjes së ish- politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Aktakuza fillestare përmendi Zvonko Veselinoviqin si drejtues të grupit kriminal përgjegjës për vrasjen e Ivanoviqit.