Prokuroria Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Gjykata refuzon kërkesën për hudhjen e aktakuzës ndaj noterit të akuzuar Sinan Visoka

Gjykata e Prishtinës i ka refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës, të cilat i ka bërë noteri Sinan Visoka dhe i akuzuari për mashtrim në trashëgimi Lirim Mustafa.

Lajmin për refuzimin e kërkesave për hudhje të aktakuzës, e kanë bërë të ditur avokatët e të akuzuarve Halit Shaljani dhe Arsim Bilalli.

Shaljani dhe Bilalli për KALLXO.com, kanë deklaruar se do të kërkojnë hudhjen e aktakuzës në instancën e dytë, Gjykatën e Apelit.

Noteri, Sinan Visoka akuzohet se e ka keqpërdorur detyrën e tij, duke e përpiluar një aktvendim përmes të cilit i ka dhënë të drejtë në trashëgimi Lirim Mustafës pa qenë prezent trashëgimtarët e tjerë ligjor.

Sipas këtij vendimi të noterit, Lirim Mustafës i është njohur e drejta në trashëgimi duke ua pamundësuar këtë të drejtë përfaqësuesve të tjerë ligjor.

Sipas prokurorisë dy të akuzuarit, ishin marrë vesh paraprakisht në mes vete.

Prokuroria pretendon se deri tek kjo ndarje e pasurisë kishte ardhur, pasi Lirim Mustafa kishte bërë paraqitje të  rreme dhe nuk i kishte informuar trashëgimtarët e tjerë ligjor.

Në aktakuzë thuhet se noteri Visoka, më pas e kishte përpiluar aktvendimin për ndarje të trashëgimisë.

Përmes këtij vendimi Visoka e kishte shpallur trashëgimtar të pronës, me sipërfaqe prej  993 metra katrorë, të pandehurin Lirim Mustafa dhe përmes këtij vendimi e kishin vënë në lajthim Drejtorinë për Kadastër të Komunës së Podujevës dhe prona kishte kaluar në emër të të pandehurit Lirim Mustafa.