Asamblisti Gëzim Sveçla duke u dërguar në gjykatore pasi Prokuroria kërkoi masën e arrestit shtëpiak - 11.12.2024
Gjykata refuzon kërkesën e Prokurorisë për arrestin shtëpiak ndaj asamblistit Gëzim Sveçla
Gjykata e Prishtinës e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishinë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla.
Sveçla po dyshohet për kryerje të veprës penale “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, pas dëmtimit të një mikrofoni në Sallën e Asamblesë Komunale në kryeqytet.
“Gjyqtarja e Procedurës Paraprake ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë të datës 10.12.2024, për caktimin e masës së arrestit shtëpiak dhe i pandehuri G. S. lirohet të mbrohet në liri”- thuhet në vendimin e Gjykatës së Prishtinës.
“Gjykata pas dëgjimit të palëve dhe analizimit të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, konstatoi se kërkesa për caktimin e masës së arrestit shtëpiak për të pandehurin G. S. është e pabazuar dhe shkon përtej qëllimit të masave për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë, pengimin e rikryerjes së veprës penale dhe për zbatimin e suksesshëm të procedurës dhe meqenëse nuk janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së propozuar dhe as të ndonjë mase tjetër më të butë, gjykata vendosi që i pandehuri G. S. të mbrohet në liri”- thuhet tutje në vendimin e Gjykatës së Prishtinës.
KALLXO.COM ka raportuar sot (11.12.2024) se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar që shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak.
“Ju njoftojmë se prokurori i rastit në këtë çështje penale ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve për shkak të veprës penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” si dhe ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të dyshuarit, si masë për sigurimin e prezencës së tij në procedurë penale dhe se do të ndërmerren me kohë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë rast” – ka thënë Prokuroria e Prishtinës për KALLXO.com.
Sveçla më 09.12.2024 kishte njoftuar se po dërgohet në mbajtje për 48 orë, pas veprimit që ai bëri, e që ai e vlerësoi vetëm si ‘aksion simbolik’.
“Unë mbiemrin e kam ‘Sveçla’ dhe nga një aksion simbolik që bëra, po më dërgojnë në mbajtje 48h. Por, kjo ndoshta është edhe Kosova që po e ëndërrojmë, pavarësisht mbiemrave të gjithë jemi të barabartë. A jemi, nuk e di?”– ka shkruar Sveçla.
Sipas tij, veprimi i tij ishte ‘për të shpërfaqur një Pazar të madh në Prishtinë’, e madje ai tha se më herët me personat me mbiemra pushtetarësh nuk kanë guxuar as t’i thërrasin.
Sveçla ka arsyetuar veprimin e tij duke thënë se e kishte bërë për të pamundësuar vazhdimin e seancës.
E për veprimin e tij ka reaguar edhe Komuna e Prishtinës, e cila tha se Sveçla përdhosi institucionin dhe sfidoi parimet bazë të demokracisë.
‘Ky akt është një goditje brutale ndaj vlerave tona institucionale dhe një fyerje ndaj qytetarëve, që presin nga përfaqësuesit e tyre të mbrojnë dhe avancojnë interesat e përbashkëta – jo të shkatërrojnë atë që u përket të gjithëve’– thuhet, mes të tjerash, në reagimin e Komunës.
Në reagim gjithashtu thuhet se asamblistët e VV-së kanë bllokuar ‘çdo iniciativë në të mirë të qytetarëve’, duke përfshirë miratimin e buxhetit, sipas tyre që ‘të krijojnë ngërç dhe të bllokojnë ofrimin e shërbimeve jetike për qytetarët’.