Gjykata refuzoi ekspertizën e mbrojtjes në rastin e gjykimit ndaj të dyshuarit për vrasjen e vëllait

Gjykata e Pejës përmes vendimit ka refuzuar që si provë të administrohet ekspertiza mjekoligjore e punuar nga ekspertët e shtetit Shqipërisë, në gjykimin ndaj Asllan Nikqi, i akuzuar për vrasjen e vëllait të tij.

Kjo ekspertizë i është dorëzuar gjykatës nga mbrojtja e të akuzuarit Asllan Nikqi, avokatit Mustafë Kastrati.

Ekspertiza 42 faqe, sipas avokatit Mustafa jep përfundimin që nuk ka pasur lidhje kauzale mes veprimeve të të akuzuarit dhe pasojës së vdekjes.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sami Sharraxhiu tha se ky propozim refuzohet sepse nuk është vepruar sipas dispozitave që parasheh ligji për mjekësinë ligjore.

“Në rastin konkret nuk janë shtjerrë të gjitha mundësitë siç parashihen në nenin 53 paragrafi 1 dhe 2, në rastet kur ekzaminimi mjekoligjor i tejkalon kapacitet e institutit mjekoligjor. Këto ekzaminime, me urdhër të prokurorit ose gjykatës, bëhen në institucione tjera në pajtim me ligjin”, tha gjyqtari Sharraxhiu.

Gjyqtari shtoi se mbrojtja me asnjë provë nuk e ka vërtetuar faktin se janë shtjerrë mundësitë me ekspertë të tjerë të licencuar të Kosovës.

Në anën tjetër avokati Kastrati tha se arsyet e dhëna nga gjykata, do t’i ankimoj së bashku me ankesën për çështjen kryesore.

“Ne edhe me tutje ruajmë respektin për integritetin e këtij trupi gjykues, në vendimin për refuzim jam i bindur se keni kryer shkelje të dispozitave ligjore sepse ne në rrugë ligjore kemi siguruar ekspertizën që në tërësinë e saj është shkencë në raport me ekspertizën dy faqe të dorëzuar nga prokuroria”, tha Kastrati.

Avokati deklaroi se ai dy herë ka kërkuar që lënda të shkojë në ekspertizë të re në Institutet kosovare, por kërkesa i është refuzuar nga trupi gjykues.

Po ashtu në seancën e sotme u refuzuan propozimet e mbrojtjes së të dëmtuarit dhe të akuzuarit, që si provë të administrohen CD-të që përmbajnë fakte për situatën konfliktuoze mes dy familjeve.

Ky vendim sipas trupit gjykues është marrë për arsye se asnjëra palë nuk e konteston faktin që mes të akuzuarit dhe viktimës ka pasur konflikt të mëhershëm.

Ky rast ka ndodhur më 26 prill të vitit 2019 në fshatin Rekë e Allagës në Rugovë të Pejës.

Sipas prokurorisë, i akuzuari ka vrarë vëllanë e tij me bisht të sëpatës duke e goditur në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, ku pas aktit së bashku me të miturin A. N., largohen nga vendi i ngjarjes duke lënë viktimën në gjendje të rëndë shëndetësore.

Viktima si pasojë e goditjes në kokë është gjetur i vdekur pas dy ditësh në largësi 1,200 metra në vijë ajrore nga vendi ku ka filluar përleshja fizike.

Sipas dosjes së prokurorisë, rasti ka ndodhur për shkak të raporteve jo të mira familjare lidhur me kontestin pronësor për pronë – mal.

Ndërsa i pandehuri A. N. që është i biri i të akuzuarit Asllan Nikqi, po akuzohet për vepër penale të pjesëmarrjes në rrahje.

Gjykata e Pejës e kishte shpallur fajtor Asllan Nikqin, duke e dënuar me 15 vjet burgim.

Ndërsa të miturit A. N. për vepër penale pjesëmarrje në rrahje i ishte shqiptuar masa edukative mbikëqyrja e shtuar nga ana e prindit, prindit adoptues ose kujdestarit në kohëzgjatje prej 1 viti.

Por rasti është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.