Nga një seancë e mëhershme e gjykimit të Rrahim Hashimit e Kadri Rexhepit. Foto: Kallxo.com

Gjykata nuk pranon t’i shfaqë filmimet ku përmenden Kadri Veseli e Xhavit Haliti

Gjykata e Prishtinës po gjykon Rrahim Hashimin dhe Kadri Rexhepin nën akuzat për mashtrim ndaj Faton Dalladakut duke u paraqitur si njerëz të afërm të Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit në përpjekje për ta ndërtuar një spital në Prishtinë.

Prokuroria e Ferizajt kishte ngritur aktakuzë në mars të vitit 2018 ndaj Hashimit dhe Rexhepit për mashtrim.

Aktakuza thotë se prej dhjetorit të 2011 e deri në korrik të 2012, të akuzuarit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, së bashku me Ekrem Likën, i cili është në arrati, kanë mashtruar tani të dëmtuarin Faton Dalladaku duke u prezantuar si të afërm të Kadri Veselit dhe Xhavit Halilit përmes Kadri Rexhepit

Gjithnjë sipas aktakuzës qëllimi i prezantimit të rremë i të akuzuarve si të afërm të Kadri Veselit dhe Xhavit Halilit ishte ndërmjetësimi për blerjen e Qendrës Kardiake nga tani i dëmtuari Faton Dalladaku duke e shtyrë atë që të veprojë në dëm të pasurisë së tij.

Aktakuza thotë se atij i është paraqitur një certifikatë e pakompletuar e biznesit në të cilën rezultonte se Rrahim Hashimi dhe Ekrem Lluka ishin pronarë të Qendrës për Kardiologji duke i paraqitur një kontratë në të cilën rezulton se Rrahim Hashimi ishte pronar i 20 % të aksioneve në këtë qendër ndërsa Ekrem Lluka, pronar 80 % të aksioneve.

Pasi tani i dëmtuari Faton Dalladaku ishte i bindur se ata dy janë pronarë të Qendrës Kardiologe ka nënshkruar kontratën për blerjen e kësaj Qendre në shumë prej 290,810.00 euro.

Shqyrtimi gjyqësor filloi të hënën me vazhdimin e administrimit të provave materiale, të USB-së e cila përmbante video – incizime.

Por Gjykata këta prova materiale i konsideroi të lexuara dhe refuzoi propozimin e prokurorisë dhe palës së dëmtuar që këto video incizime të shiqohen pasi që, sipas gjyqtares së çështjes Medie Bytyqi, të gjitha palët janë të pajisura me video-incizime dhe shqimi i tyre “do ta prolongonte procedurën penale”.

Por pala e dëmtuar, Faton Dalladaku, pretendoi se këto materiale duhet të shikohen.

“Unë kërkoj të kqyren të gjitha materiale për arsye se nëpër video incizime konstatohet se deklaratat e mia janë të vërteta”, tha Dalladaku.

Po ashtu, edhe prokuroja e shtetit Rukije Sheshivari, mbeti edhe më tej pranë propozimit nga seancat e kaluara që të shikohen video – incizmet.

Por Admir Saihu, avokat i Kadri Rexhepit, tha se dëgjimi i këtyre video-incizimeve është “i panevojshëm”.

“Konsideroj që është e panevojshme të transmetohen këto incizime, për faktin që të gjitha palët i kanë në dispozicion, në sallë nuk kemi publik por kemi vetëm monitorues dhe palë, dhe kjo vetëm do të vonojë më tutje procesin, përndryshe nuk do të ketë asgjë të re nga transmetimi i tyre, prandaj për neve si mbrojtje, i propozoj gjykatës që ti konsideroj të lexuara, dhe mos të transmetohen më tutje”, tha Salihu.

“Përtej çdo dyshimi, këto incizime nuk do të mund të pranoheshin si prova për shkak se janë në kundërshtim me Kodin e Përkohshëm Penal që ka qenë në fuqi në kohën kur janë marrë këto incizime. Pa hyrë fare në përmbajtën e tyre dhe për t’i analizuar se si dhe në çfarë rrethana janë marrë dhe për sa kohë janë marrë, duke pas parasysh që nga i dëmtuar është deklaruar se ka pasë takime ditore ndoshta edhe 30 herë në ndërkohë në USB i kemi vetëm disa dhe nuk janë të shpjeguara në cilën periudhë saktë janë marrë, dhe a lidhen me provat materiale që janë në shkresat e lëndës”, shtoi avokati Admir Salihu.

“Dhe nëse i analizojmë edhe transkriptimet telefonike që kanë dalë nga telefoni Nokia, shumë qartë vërehet që i dëmtuari para se t’i dorëzojë këto në polici, palët i ka kërcënuar dhe shantazhuar që do të publikohen këto video ose do t’i dorëzohen policisë në rast se këtij nuk i kthehen borxhet për të cilat ka pretendu dhe pretendon që ja kanë palët”, tha ai duke kërkuar nga gjykata që këto materiale t’i shpallë të papranueshme”.

Shyqrtimi gjyqësor vazhdoi me procedurën e plotësimit të provave

Asdren Saramati, avokat i të akuzuarit Rrahim Hashimi, i propozoi gjykatës që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet Zekë Jasiqi, ndërsa Rrahim Hashimi propozoi disa provat materiale por gjyqtarja Medie Bytyqi i refuzoi që të dy kërkesat

Gjykata po ashtu refuzoi edhe  propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Kadri Rexhepi, avokatit Admir Salihu që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet Ekrem Beqa dhe Burim Pllana, pasi që vlerësoi se nuk janë relevante për këtë çështje penale. Po ashtu ajo refuzoi edhe propozimin për administrimin e provave materiale.

Shqyrtimi gjyqësor po vazhdon me marrjen në pyetje të të akuzuarve Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi.