Foto-ilustrim

Gjykata nuk lejon publikimin e deklaratave të dëshmitarëve në rastin ‘Veteranët’

Në gjykimin e 12 të akuzuarve për rastin “Veteranët”, Gjykata e Prishtinës ka ndaluar çdo publikim të deklaratave të dëshmitarëve para përfundimit të procesit gjyqësor.

Këtë e ka bëre gjyqtarja e rastit Nushe Kuka Mekaj me arsyetimin se publikimi i tyre mund ta dëmtojë mbarëvajtjen e procesit.

“Unë dje kam marrë vendim që të ndalohet publikimi i deklaratave të dëshmitarëve në media nëse keni qenë këtu, sepse do ta dëmtojë procesin”, shtoi gjykatësja.

Ajo paralajmëroi mediat se në rast të publikimit të këtyre deklaratave do të përballen me ligjin.

“Nëse publikimi bëhet nga mediat, përkundër vendimit të marrë, kjo do të jetë shkelje ligjore e secilit që publikon deklaratë pasi po mundohemi t’i ruajmë deklaratat që mos t’i kuptojnë dëshmitarët të cilët janë në pritje. E gjitha kjo për t’u ndaluar ndonjë marrëveshje e mundshme mes dëshmitarëve”, shtoi gjyqtarja.

Në këtë proces gjyqësor janë të akuzuar disa nga komandantët e UÇK-së si Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Rrustem Berisha dhe Shukri Buja.

Bashkë me ta akuzohen edhe anëtaret e komisionit për verifikimin e njohjes së statusit të veteranit.

Në shtator 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej  88.769.217.04 euro.

Të dymbëdhjetë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm në të gjitha fazat e procedurës.