Foto Kallxo.com - Rigjykimi në rastin e Vrasjes së rëndë në Bon Vivant

Gjykata nuk e gjen adresën e Uran Ismailit për ta ftuar të dëshmojë për rastin e vrasjes në "Bon Vivant"

Sot në gjykatë e Prishtinës ka vazhduar seanca e rigjykimit ndaj të akuzuarve Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi të akuzuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë.

Në seancën e sotme u dëgjua dëshmia e dëshmitares Egzona Berisha.

Duke u përgjigjur në pyetjen e avokatit Naim Rudari i cili në këtë rast e mbron të pandehurin Gërdovci, dëshmitarja Berisha ka treguar se ditën kur kishte ndodhur ngjarja ajo kishte qenë në lokalin “Bon Vivant” bashkë me shoqen e saj Dea Kukaj e cila me herët në ketë rast është dëgjuar si dëshmitare.

Tutje dëshmitarja ka sqaruar se ajo kishte qenë e kthyer me shpinë nga lokali dhe nuk kishte parë asgjë nga ngjarja e asaj dite, vetëm se ishte njoftuar nga shoqja e saj se është duke ndodhur një rrahje në brendësi të lokalit, kurse pak me vonë kishin dëgjuar krismat e armës dhe janë distancuar në pjesën anësore të terrasës së pasme të lokalit.

Në këtë seancë në cilësinë e dëshmitarit ka qenë i ftuar edhe deputeti i PDK-së dhe ish- Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i cili njëherësh është edhe bashkëpronar i lokalit ku kishte ndodhur ngjarja.

Por ai nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme.

Sipas Gjykatës, pati probleme me adresën e Ismailit, duke bërë që ai të mos e pranojë ftesën.

Gjyqtarja e rastit Suzana Çerkini, ka kërkuar nga avokati Rudari që të sigurojë adresën e saktë të dëshmitarit Ismaili, i cili është propozuar nga vet ai.

Po ashtu, avokati Rudari ka propozuar që në seancën e ardhshme të ftohet për tu ridëgjuar dëshmitarja Dea Kukaj, pasi siç ka thënë avokati deklarata e saj dhe deklarata e sotme e dëshmitares Egzona Berisha, nuk përputhen njëra më tjetrën.

Këtë propozim nuk e kanë kundërshtuar as prokurori Armend Hamiti, e as përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati Armend Krasniqi, i cili me pas u aprovua edhe nga ana e trupit gjykues.

Sipas aktakuzës së ngritur me korrik të vitit 2015, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, akuzohen se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale, vrasje të rëndë, dhe armëmbajtje pa leje.

Në lokalin “Bon Vivant” më 13 tetor 2014 ishte vrarë Rrahman Uka, roje në atë lokal.

Nga shkalla e parë e gjykimit, të pandehurit Gërdovci dhe Krasniqi ishin shpallur fajtorë për vrasjen e Ukës.

Gjykata Gërdovcin e kishte dënuar me 21 vjet e 8 muaj burgim, ndërsa Krasniqi ishte dënuar nën cilësimin e veprës penale nga vrasje në pjesëmarrje në rrahje në kohëzgjatje prej 4 vjet e 3 muaj.

Të pandehurit Masar Gërdovci, i kishte shqiptuar dënim unik me kohëzgjatje prej 21 vjet e 8 muajve si dhe dënimin plotësues konfiskimi i armës, respektivisht revolja e mbajtur në mënyrë të paautorizuar si mjet i kryerjes së veprës penale.

Ndërsa ndaj të pandehurit Krasniqi, gjykata kishte bërë ri cilësimin e veprës penale nga vrasja e rëndë në pjesëmarrje në rrahje, për çka është shpallur fajtor dhe është dënuar me 4 vjet e tre muaj burgim.

Kurse për veprën penale të armëmbajtjes pa leje ishte liruar nga akuza.

Por ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale.