Gjykata nuk e do ministrin e ri të dëshmojë për këshilltarin e tij
Tri ditë më parë, kur Anton Quni i LDK-së mori pozitën e Ministrit të Mbrojtjes nga Rrustem Berisha i AAK-së, ky i fundit e mori ‘live’ ofertën që të bëhet këshilltar politik i ministrit të ri.
Këtë ofertë, Berisha e pranoi pa u menduar dy herë. Që të dy kanë qenë
Të premten, nga gjykata ku Berisha po akuzohet në rastin e njohur si “veteranët e rrejshëm”, avokati i tij, Artan Qerkini ia propozoi gjykatës që Anton Quni të jetë në listën e dëshmitarëve.
Përveç Rrustëm Berishës, në këtë rast të akuzuar janë edhe disa nga komandantët e UÇK-së dhe anëtaret e komisionit për verifikimin e njohjes së statusit të veteranit: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Në seancën e sotme, përveç AntonQunit, avokati i Rrustem Berishës i propozoi si dëshmitarë edhe Fazli Rugovën, Afrim Sylejmanin, Hisen Berishën, Ahmet Alishanin dhe Gani Xhukën.
Gjyqtarja Nushe Kukaj Mekaj aprovoi propozimin e avokatit Qerkini që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohen Fazli Rugova si komandant i brigadës “Mërgimi”, Hisen Berisha, komandant i bataljonit të parë të brigadës 138, dhe Ahmet Alishani.
Por ajo ia refuzoi kërkesën për dëshmitë e Afrim Sylejmanit, Anton Qunit, dhe Gani Xhukës.
“Trupi gjykues ka ardhë në përfundim se dëshmitarët për të cilët është aprovuar propozimi e ndërlidhur me arsyet e dhëna për dëgjimin e këtyre dëshmitarëve nga avokati Qerkini, janë të mjaftueshëm për t’u sqaruar rrethanat e cekura në propozim”, tha Kukaj Mekaj.
Në shtator 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej 88,769,217.04 euro.
Seancat e radhës u caktuan me datë 21, 24 shkurt dhe 4 mars.