Arkiv - Meliza Haradinaj

Gjykata nuk e arsyeton lirimin e ish-ministres së Punëve të Jashtme Meliza Haradinaj- Stublla

 

Gjykata e Prishtinës sot në krye me gjyqtaren Lumnije Krasniqi, ka shpallur aktgjykimin lirues ndaj ish-ministres së Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj- Stublla.

Më këtë aktgjykim lirues, Haradinaj-Stublla është liruar nga akuza për mosdeklarim të pasurisë.

Sipas Gjykatës, sa i përket lirimit të Haradinaj-Stublla nga akuza, nuk është provuar se ekzistojnë elementet e veprës penale për të cilën akuzohet Haradinaj-Stublla.

“Gjykata ka vlerësuar se mosveprimet e përshkruara, si në dispozitiv të aktgjykimit të të akuzuarës me prova të proceduara të cilave Gjykata iu ka falë besimin, nuk u provua se ekzistojnë elementet e veprës për të cilën është akuzuar Haradinaj- Stublla”, tha gjyqtarja Krasniqi.

Gjyqtarja Krasniqi nuk e arsyetoi vendimin e marrë, se në cilat fakte është bazuar se gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është provuar se e akuzuara ka kryer veprën penale, me të cilën ngarkohej nga Prokuroria.

Ky veprim i gjyqtares Krasniqi është në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, saktësisht paraqet shkelje të rëndë, të nenit 366 par.2 të KPRK-së, i cili ka të bëjë me shpalljen e vendimeve dhe arsyetimin e tyre në pika të shkurtra.

“Gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues në prani të palëve, të përfaqësuesve të tyre ligjorë, të përfaqësuesve të autorizuar dhe të mbrojtësve lexon në seancë të hapur dispozitivin dhe shkurtimisht prezanton arsyet e aktgjykimit”, thuhet në paragrafin e 2-të të Nenit 366 të Kodit të Procedurës Penale.

Neni 366 i KPRK-së.

Kujtojmë se më datë 18 dhjetor 2020 në seancën fillestare të rigjykimit, Haradinaj ishte deklaruar rreth fajësisë.

Meliza Haradinaj- Stublla, e cila ishte ministre në detyrë e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ishte dënuar nga Gjykata me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 8 muajve.

Pas hulumtimit të KALLXO.com në muajin dhjetor të vitit 2018, më 4 tetor 2019 Gjykata e Prishtinës e kishte shpallur fajtore për mosdeklarim të pasurisë, Meliza Haradinaj- Stubllën, e cila në atë kohë kishte pozitën e këshilltares politike të ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Gjykata e kishte dënuar Haradinaj- Stubllën me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 8 muajve, si dhe dënim me gjobë prej 1 mijë euro, të cilin detyrohej ta paguante brenda afatit prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Sipas Prokurorisë, e akuzuara Meliza Haradinaj- Stublla kishte vepruar në kundërshtim me nenin 5 dhe nenin 6 të Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtar ku ka qenë e detyruar që ta deklarojë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Në fund të vitit 2018, KALLXO.com kishte gjetur se Meliza Haradinaj- Stublla, ish-këshilltarja politike e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj nuk e kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion biznesin që e kishte të regjistruar në Londër.

Ajo nuk kishte deklaruar të ardhura si pronare e kompanisë “IN MIDDLE LTD”, me zyre në “108 Woolmead Avenue” në Londër.

“IN MIDDLE LTD” ishte themeluar në vitin 2015 dhe deri pak ditë para publikimit të hulumtimit kishte vazhduar të figurojë si biznes aktiv në “Companies House” në Britani të Madhe. Companies House ka kompetenca të njëjta me Agjencinë e Regjistrimit.

Si këshilltare politike e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili kishte ardhur në pushtet në muajin shtator të vitit 2017, Meliza Haradinaj – Stublla ka qenë e obliguar të deklarojë pasurinë si zyrtare e lartë, edhe në vitin 2017 edhe në vitin 2018.

Por në formularin e deklarimit të pasurisë në vitin 2017, Meliza Haradinaj- Stublla, nuk kishte deklaruar se është pronare apo person i autorizuar në ndonjë biznes.

Në Agjencinë Kundër Korrupsion, Haradinaj- Stublla kishte deklaruar se merr 577 euro si pagë mujore nga Qeveria e Kosovës si dhe kishte deklaruar se bashkëshorti i saj ka një fitim prej 8500 euro nga biznesi që e ka në Prishtinë.

Por Haradinaj- Stublla nuk kishte deklaruar se posedon aksione në shoqëri komerciale apo letra me vlerë.

Edhe në formularin e deklarimit të pasurisë të vitit 2018, Haradinaj- Stublla nuk kishte deklaruar se është pronare apo person i autorizuar në ndonjë biznes.

Në maj të vitit 2019, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj këshilltares së ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, Meliza Haradinaj- Stublla.

Këshilltarja e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, u ballafaqua në Gjykatë për akuzën e mosdeklarimit të pasurisë.

(VIDEO) Meliza Haradinaj-Stublla shpallet e pafajshme